Meksika me avionë ka kthyer migrantët në vendet e tyre

21:37 | 22 Janar 2020
A. B.

Sipas Institutit Kombëtar të Migracionit të Meksikës, ky vend të martën ka dërguar në Honduras me avionë të paktën 219 migrantë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Migrantët ishin pjesë e një karvani që ishte nisur për në SHBA dhe që mbërriti në kufirin jugor të Meksikës gjatë fundjavës. Shumica e tyre janë nga Hondurasi.

Instituti përmes një kumtese ka njoftuar se ka filluar procesin e dërgimit të tyre në vendet e tyre të lindjes.

“Fluturimi i kthimit, i pari nga disa të planifikuar, është realizuar në përputhje të rreptë me respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në kumtesë.

Avioni i parë që barti 109 migrantë u largua të martën në mëngjes nga shteti jugor meksikan Tabasco ndërsa avioni i dytë u nis pasdite duke bartur 110 migrantë. Ka edhe plane për kthimin e migrantëve me autobusë.

Sekretari i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard në një konferencë për media tha se migrantëve u ofrohen tre mundësi: ata mund të aplikojnë për strehim, të marrin leje të përkohshme pune në Meksikë ose të kthehen në shtëpi.

“Meksika ka një nga qëndrimet më bujare në botë në lidhje me migrantët që vijnë në vendin tonë”, tha Ebrard.

“Në vetëm disa shtete në botë ata u ofrojnë migrantëve strehim ose punë të përkohshme”, tha ai.

Shumë prej migrantëve në karavan kishin shpresuar të arrinin në SHBA por në disa muajt e fundit, Meksika ka penguar migracionin në veri.

Presidenti amerikan Donald Trump është kërcënuar se do t’i vendosë taksa Meksikës nëse qeveria nuk zvogëlon fluksin e migrantëve që arrijnë në vend.

Qeveria meksikane shtatorin e kaluar njoftoi se kishte ulur migracionin në SHBA me 56 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme