Google ADS

Më shumë se 71 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në zgjedhjet presidenciale

21:06 | 28 Tetor 2020
L G

Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës së ardhshme në shifra rekord, si rezultat i ndjenjave të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe një dëshire për të shmangur turmat e mëdha në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve mes pandemisë së koronavirusit.

Më shumë se 71 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, më shumë se gjysma e numërimit të përgjithshëm të votave që u hodhën në vitin 2016, që ishte 138.8 milionë.

Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm i kanë dërguar me postë fletëvotimet e tyre, ndërsa pjesa tjetër ka votuar fizikisht në qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Ekspertët e votimit thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën mes Presidentit republikan Donald Trump dhe sfiduesit të tij demokrat Joe Biden mund të jetë më e larta që nga viti 1908, kur 65% e votuesve të ligjshëm në vend morrën pjesë në votime.

Trump, Biden dhe kandidatët e tyre përkatës për postin e nënpresidentit- nënpresidenti Mike Pence dhe senatorja e Kalifornisë Kamala Harris – po vazhdojnë të mbajnë fjalimet e tyre përfundimtare para votuesve.

Fokusi në Arizona

Si presidenti Trump edhe senatorja Harris po bëjnë fushatë në Arizona, shteti jugperëndimor përgjatë kufirit meksikan që zoti Trump e fitoi në vitin 2016 ndaj demokrates Hillary Clinton.

Por sondazhet në këtë shtet, ku asnjë kandidat demokrat presidencial nuk ka fituar që nga viti 1996, tani tregojnë se zoti Biden është përpara në garë me një diferencë të ngushtë.

Shteti ka 11 nga 270 votat elektorale që kandidatët Trump dhe Biden do të duhet të fitojnë për të marrë presidencën. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen në një formë indirekte të demokracisë, përmes Kolegjit Zgjedhor me 538 anëtarë, dhe jo nga vota popullore.

Zakonisht, të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor të një shteti shkojnë për kandidatin që merr më shumë vota popullore në secilin prej 50 shteteve, me shtetet më të populluara që kanë më shumë ndikim.

Presidenti Trump po zhvillon dy tubime pasdite në Arizona.

Harris, kandidatja demokrate për postin e nënpresidentes u takua me pronarë latinë të bizneseve në mëngjes në qytetin Takson dhe më vonë gjatë ditës me një grup udhëheqësish afrikano-amerikanë në qytetin më të madh të këtij shteti, në Finiks. Ajo e përfundon ditën e saj me një fjalim në një tubim ku interpreton këngëtarja e muzikës pop Alicia Keys.

Biden informohet për virusin

Biden, i cili ka fajësuar presidentin Trump për numrin më të madh të vdekjeve në botë të koronavirusit, në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 226,000, po informohet nga ekspertët e shëndetit publik mbi pandeminë dhe më pas do të japë hollësi mbi planet e tij për të frenuar përhapjen e virusit. Më vonë, ai merr pjesë në një aktivitet virtual për grumbullime fondesh.

Presidenti Trump këtë javë ka vazhduar të pohojë se vendi ka arritur “kthesën” në trajektoren për trajtimin e virusit, edhe pse numri i infeksioneve në SHBA është duke u rritur.

Zoti Pence po zhvillon tubime në dy shtetet kryesore të lëkundura, në Uiskonsin dhe më pas Miçigan, që Trump-i i fitoi në vitin 2016 por ku tani radhitet pas zotit Biden në sondazhe.

Sondazhet kombëtare tregojnë zotin Biden me një epërsi prej 7 ose 8 përqind ndaj presidentit Trump, por me gjysmën e asaj diference në shtetet kryesore të fushëbetejës, që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor./VOA/

Të ngjashme