Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë në Liban gjatë luftës 13-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut, ka thënë të hënën Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Kjo shifër është dyfish më e lartë se numri i njerëzve të vrarë prej luftës së fundit të madhe mes tyre dy dekada më parë.
Nuk ka ndonjë shenjë se kjo luftë është drejt përfundimit, pasi Izraeli ka theksuar se po kryen operacione të reja që kanë në shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut në të gjithë Libanin dhe në disa pjesë të Sirisë.
Në anën tjetër, Hezbollahu po vazhdon të hedhë dhjetëra raketa në veri të Izraelit.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit verior një ditë pas sulmit befasues të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, i cili edhe e nxiti luftën në Rripin e Gazës. Hezbollahu dhe Izraeli janë të lidhura me Iranin.
Edhe Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Për gati një vit, konflikti u zhvillua kryesisht në pjesët përreth kufizimit mes Izraelit dhe Libanit.
Megjithatë, lufta u përshkallëzua ndjeshëm më 23 shtator, kur Izraeli kreu sulme të mëdha ajrore në jug dhe lindje të Libanit, si dhe në periferitë jugore të Bejrutit, duke lënë qindra të vdekur dhe duke detyruar afër 1.2 milion njerëz të zhvendosen.
Izraeli e nisi pushtimin tokësor në jug të Libanit më 1 tetor, duke shkaktuar rrënim të madh në fshatrat kufitare, por pa arritur shumë përparime tokësore brenda Libanit.
Izraeli thotë se po shkatërron armët dhe qendrat e komandës së Hezbollahut pranë kufirit, përfshirë një sistem të gjerë tunelesh të ndërtuar nga Hezbollahu.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 16 persona u vranë dhe 90 të tjerë u plagosën në sulmet e së dielës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 3.002.
Të paktën 13.492 të tjerë janë plagosur, sipas saj.
Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve të Hezbollahut kur llogarit numrin e viktimave.
Izraeli pretendon se qindra luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë.
Në Izrael, 72 persona janë vrarë nga sulmet e Hezbollahut, përfshirë 30 ushtarë, sipas zyrës së kryeministrit.
Më shumë se 60.000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...