Mbi 20 të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Greqi

07:51 | 31 Tetor 2020
Arbresh.info

Së paku 19 vdekur, qindra të plagosur dhe rreth 20 ndërtesa të shembura është bilanci që ka shkaktuar tërmeti që goditi Turqinë dhe Greqinë ditën e premte. Në Izmir të Turqisë ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur të mbijetuar nën gërmadha.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të shprehur ngushëllimet e tij.

“Pavarësisht nga dallimet tona, këto janë raste kur njerëzit tanë duhet të qëndrojnë së bashku”, tha ai në Twitter. Të dyja vendet kanë qenë të përfshira, tash e sa muaj, në mosmarrëveshje lidhur me eksplorimin e gazit në Detin Mesdhe. Biseda pasoi atë mes dy ministrave të jashtëm më herët.

Sipas dëshmitarëve, me të ndodhur tërmeti, njerëzit vrapuan në rrugë në panik në qytetin bregdetar të Izmirit. Disa lagje u mbushën me ujë deti, i cili shkaktoi përmbytje.

Kryetari i Izmirit, Tunc Soyer, tha se rreth 20 ndërtesa janë rrëzuar në provincë. Guvernatori i Izmirit tha se 70 vetë ishin shpëtuar nga rrënojat.

“Për fat të keq, katër nga shtetasit tanë humbën jetën gjatë tërmetit”, shkroi në rrjetin social Twitter, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.

Lëkundja raportohet të ketë shkaktuar një cunami të vogël në portin e Samos.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme