Mbi 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, ka qenë student i universitetit dhe sulmi ka qenë i paramenduar.
Trupi i pajetë i tij është gjetur në ambientet e universitetit.
Policia ka thënë se ai ka qenë prej një fshati 21 kilometra larg Pragës.
Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.
Shefi i policisë Martin Vondrashek, ka thënë në një konferencë për media se shifrat e viktimave mund të mos jenë përfundimtare.
Ai ka thënë se sulmuesi është inspiruar prej sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur jashtë shtetit.
Duke folur në konferencë për media, ministri i Brendshëm Vit Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.
Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.
Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.
“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.
Policia u ka kërkuar banorëve të Pragës që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.
Presidenti çek, Petr Pavel, ka thënë se është i shokuar nga ngjarja dhe ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave.
Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se do t’i anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.
Liderët evropianë kanë shprehur ngushëllime për viktimat.
Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.
Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit – atraksioni kryesor për turistët.
Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.
Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje./rel/
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...