Mbi 100 mijë të shpërngulur nga operacionet turke në Siri

20:01 | 12 Tetor 2019
Arbresh.info

Më shumë se 100,000 njerëz janë shpërngulur deri tani nga pushtimi turk në veri të Sirisë. Lajmi konfirmohet nga Programi Botëror i Ushqimit, i cili thotë se të zhvendosurit janë nga qytetet Ras al-Ayn dhe Tal Abyad.

Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët mohojnë që forcat turke kanë marrë qytetin kufitar Ras al-Ayn siç ka pretenduar Turqia.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i vdekjeve civile si rezultat i ofensivës së Turqisë është rritur në 30.

Ankaraja filloi operacionin ndërkufitar të mërkurën, duke thënë se dëshiron të pastrojë një zonë sigurie në veri të Sirisë nga forcat siriane kurde, të cilët i sheh si aleatë terroristë të separatistëve kurdë në Turqi.

Turqia njoftoi fatalitetin e saj të parë ushtarak në ditën e tretë të sulmit të saj në Siri. Ministria e mbrojtjes tha se tre ushtarë të tjerë u plagosën, pa dhënë detaje. Viktima të civilëve gjithashtu u raportuan në rajonin kufitar turko-sirian.

Zyrtarët amerikanë thonë se një post ushtarak amerikan në Kobane, në Sirinë verilindore është evakuuar pasi predhat e artilerisë turke ranë pranë bazës. Baza kryesore amerikane në Kobane nuk u prek, dhe zyrtarët thanë se presin që evakuimi do të jetë i përkohshëm.

NATO i kërkoi Turqisë, një anëtar i aleancës, të ushtrojë përmbajtje. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme