Pesë shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, arritën në Katar të hënën, në shkëmbim të pesë iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes dy vendeve kundërshtare u ndërmjetësua nga Doha.
Në marrëveshje gjithashtu përfshihet edhe zhbllokimi i fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh nga një bankë koreanojugore.
Një aeroplani i Katarit i transportoi pesë shtetasit amerikanë dhe dy të afërm të tyre nga Teherani, menjëherë pasi të dy palët u njoftuan se fondet ishin trasferuar në llogari bankare në Doha, tha për agjencinë e lajmeve një burim me dijeni për këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, dy nga pesë iranianët e ndaluar në Shtetet e Bashkuara mbërritën në Katar, tha një zyrtar amerikan. Tre të tjerë kishin kërkuar të mos ktheheshin në Iran.
Zhbllokimi i fondeve mundësoi shkëmbimin e të burgosurve në bazë të një marrëveshje të arritur pas disa muaj bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella lidhur me ambiciet bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera.
Pesë amerikanët me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe iraniane, do të dërgohen me avion nga Doha drejt Shteteve të Bashkuara.
“Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha një zyrtar iranian me njohuri mbi procesin e lirimit të të burgosurve amerikanë.
Në shkëmbim, pesë iranianë të arrestuar në SHBA do të lirohen. Më herët, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se dy iranianë do të kthehen në Teheran, ndërsa dy do të qëndrojnë në SHBA me kërkesën e tyre. Një i burgosur do t’i bashkohej familjes së tij në një vend të tretë, shtoi ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani tha se fondet, të bllokuara në Korenë e Jugut pasi sanksionet amerikane ndaj Iranit u ashpërsuan në vitin 2018, do të jenë në dispozicion të Teheranit të hënën. Sipas marrëveshjes, Katari do të sigurojë që fondet të përdoren për blerjen e mallrave për qëllime humanitare. Deri tani nuk ka patur komente publike nga qeveria amerikane./VOA
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...