Google ADS

Marrëveshje për Brexit, Brukseli dhe Londra bien dakord

17:28 | 19 Mars 2018
Arbresh.info

Mbretëria e Bashkuar dhe blloku europian kanë rënë dakord me pjesën më të madhe të marrëveshjes që do të prodhojë një tërheqje të rregullt të Britanisë nga BE-ja, një hap i rëndësishëm përpara ky i njoftuar prej negociatorit të Brukselit për Brexit-in, Michel Barnier.

Të dy palët, sqaroi ai, janë pajtuar me idenë e një periudhe tranzicioni, çka konsiderohet e një rëndësie kyçe. Komentet e tij, Barnier i bëri pas takimit me sekretarin britanik për Brexit-in, David Davis.

Periudha në fjalë do të nisë nga ajo që etiketohet si “Dita e Brexiti-it”- 29 mars 2019, dhe është konceptuar të zbusë rrugën drejt një marrëdhënieje të përhershme partneriteti.

Kompromisi është arritur sipas Barnier edhe në raport me të drejtat e 4.5 milionë qytetarë të BE-së në Britaninë e Madhe dhe 1.2 milionë qytetarëve britanikë në bllokun europian pas realizimit të shkëputjes.

Mbetet ndërkohë ende punë për të bërë në lidhje me disa pika kyçe siç është kufiri i Irlandës së Veriut apo Gjibraltari.

Si Londra, ashtu edhe Brukseli shpresojnë që parimet e marrëveshjes mbi periudhën kalimtare të marrin dritën jeshile të liderëve të bllokut gjatë samiti të tij këtë javë.

Ky nuk është megjithatë fundi i rrugës, paralajmëron Barnier; “Tranzicioni, – shton ai,- do ta ketë kohëzgjatjen të limituar”.

Palët shpresojnë që po të miratohet marrëveshja e tranzicionit, atëherë negociatat do të mund të fokusohen tek natyra e marrëdhënies së përhershme që do të ketë Britania me BE-në, me qëllimin që pakti të marrë dritën jeshile në vjeshtë duke i dhënë kështu kohë vendeve anëtare të bllokut dhe parlamentit britanik ta ratifikojnë përpara Brexit-it, marsin e vitit që vjen. /tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme