Takimet e nivelit të lartë në Washington midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe turq përfunduan të mërkurën pa një zgjidhje të dukshme rreth çështjes së një pastori amerikan të ndaluar në Turqi.
Departamenti i Shtetit tha se zëvendës sekretari i shtetit John Sullivan dhe zëvendësministri i jashtëm turk Sedat Onal u takuan në një përpjekje për të lehtësuar krizën në marrëdhëniet e shkaktuara nga ndalimi i pastorit ungjillor Andrew Brunson.
Paraburgimi i pastorit bëri që administrata Trump javën e kaluar të njoftonte sanksione ndëshkuese ndaj dy ministrave të kabinetit turk dhe të paralajmëronte masa shtesë nëse çështja nuk zgjidhej së shpejti.
Në takimin e së mërkurës u bisedua për çështjen Brunson dhe sanksionet, me synimin për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve të mprehta midis dy aleatëve të NATO-s.
Më pas, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se “bisedat vazhdojnë,” por pa dhënë hollësi.
Pastori Brunson është nxjerrë në gjyq për spiunazh dhe akuza për terrorizëm, që lidhen me përpjekjen e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në 2016. Pastori dhe qeveria amerikane i mohojnë me forcë akuzat. Administrata e SHBA ka kërkuar lirimin e pastorit Brunson.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka lidhur kthimin e pastorit në SHBA me ekstradimin e klerikut Fetullah Gylen, të cilin qeveria e Turqisë e mban përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit.
Gylen, i cili mohon se ka orkestruar përpjekjen për grusht shteti, jeton në Pensilvani.
Kërkesat turke për arrestimin dhe ekstradimin e tij janë hedhur poshtë.
Pastori Brunson jeton në Turqi prej 23 vjetësh dhe ka shërbyer si pastor i Kishës së Ringjalljes në Izmir, një kongregacion i vogël protestant.
Gjatë një seance të fundit, Brunson i hodhi poshtë akuzat kundër tij.
Rama takohet me Marta Kos: Njohëse shumë e mirë e rrugës së ...
AGK-ja dënon kërcënimin me vrasje ndaj Ilir Mirenës
UEFA delegon gjyqtarët kosovarë për ndeshjen e Conference Le...
Policia dhe Dogana parandalojnë një rast të kontrabandimit m...
SHBA do të paguajë gati 116 milionë dollarë për të burgosura...
Vinicius: Provuan dhe u munduan të më diskreditojnë, jam më ...