E ashtuquajtura marrëdhënie e veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë do të jetë në qendër të vëmendjes gjatë vizitës shtetërore të presidentit Donald Trump që filloi të hënën. Por, si ndjehen vetë britanikët për marrëdhëniet e tyre me amerikanët mes protestave të planifikuara dhe debateve ndaj deklaratave të tij mbi politikën britanike? Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara na ka përcjell këtë material nga Londra.
Londra është përgatitur për vizitën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që fillon më 3 qershor. Ai është një figurë e debatueshme këtu – me sondazhet që tregojnë se shumica e publikut britanik nuk e mbështet.
“Mendoj se gjithçka rreth tij është e papëlqyeshme. Ai gjithashtu gënjen. Është shumë keq”, thotë Ted Holmes, banor i Londrës.
“Si mundet një president që sillet si ai dhe thotë gjërat që ai thotë, të lejohet në politikë; është qesharake”, thotë Hannah Zlatkavac.
“Është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet SHBA-Britani që ai po vjen. Vetëm për faktin që marrëdhënia mes të dy vendeve është kaq e veçantë”, thotë James Burke.
Presidenti Trump u kritikua kur ai rivendosi në Twitter një video anti-myslimane nga një grup britanik i ekstremit të djathtë, dhe kur ai akuzoi agjencitë britanike të zbulimit se kishin spiunuar në fushatën e tij zgjedhore.
Megjithatë, zyrtarët britanikë pohojnë se “marrëdhënia e veçantë” mes të dy vendeve mbetet e paprekur. Sondazhet tregojnë gjithashtu se afërsia kulturore mes dy vendeve është e fortë.
“Nuk jam e sigurtë nëse është e fuqishme sa ç’ishte. Por, e ndjej se është ende e tillë”,thotë Vivienne Tannis.
“Nëse populli në përgjithësi e do këtë marrëdhënie, ajo do të jetë aty, pavarësisht se kush është në pushtet”, thotë Hannah Zlatkavac.
“Mendoj se është një nga marrëdhëniet e pakta në historinë moderne që nuk ka për t’u shuar, pasi ne kemi kaluar së bashku kohë të këqija dhe të mira”, thotë James Burke, transmeton VOA.
“Marrëdhënie e veçantë” është një term i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga Kryeministri britanik Winston Churchill, për të përshkruar lidhjet e afërta politike, kulturore, ekonomike, ushtarake dhe historike.
“Ajo ka qënë një nga marrëdhëniet e suksesshme më të rëndësishme që nga fundi i shekullit të 19 dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë qënë të lidhura që nga ajo kohë”, thotë Charles Kupchan me Këshillin për Marrëdhiet e Jashtme.
Afërsia reflektohet ndonjëherë nga udhëheqësit, përfshirë Reaganin dhe Thatcherin, Bushin dhe Blairin, Obamën dhe Cameronin në kohë të caktuara gjatë mandateve të tyre.
Është një tjetër histori për Presidentin Trump dhe Kryeministren Theresa May, veçanërisht pasi ai kritikoi publikisht mënyrën e trajtimit të saj të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Por, kjo nuk ka të bëjë vetëm me udhëheqësit.
“Ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet thellësisht të farkëtuara të shërbimeve të inteligjencës, mes shërbimeve të sigurisë, bashkëpunimit ushtarak, studentëve britanikë që studiojnë në universitetet amerikane, bashkëpunimit të studiove kinematografike amerikane me aktorët dhe studiot britanike – këto lloj lidhjesh janë thelbi i kësaj marrëdhënie të veçantë”, thotë Jacob Parakilas me organizatën Chatham House.
Ashtu si gjatë vizitës së presidentit Trump në vitin 2018, janë planifikuar protesta masive, ku organizatorët thonë se presin të dalin dhjetëra mijëra pjesëmarrës.
Presidentë të tjerë amerikanë gjithashtu janë përshëndetur me një pritje mjaft të ftohtë në Britani. Pas vendosjes së raketave bërthamore në një bazë ushtarake këtu, Ronald Reagani u përball me protesta në 1982 – siç i ndodhi edhe Xhorxh W. Bushit pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Pra, ashtu si çdo marrëdhënie tjetër, edhe kjo ka ngritjet dhe zbritjet e saj.
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...