Në fjalorin e Inteligjencës amerikane, cilësohet “agjent për qasje” dhe sipas prokurorëve amerikanë, ka qenë pikërisht ajo që ka qenë duke bërë 30-vjeçarja, Maria Butina, në Shtetet e Bashkuara.
“Butina nuk ka qenë spiune në kuptimin tradicional, pra për të fituar qasje në informacion konfidencial dhe për ta dërguar në shtëpi. Ajo nuk ka qenë zyrtare e trajnuar e Inteligjencës”.
“Mirëpo, veprimet që ka kryer ajo, kanë qenë në emër të një zyrtari rus dhe këto veprime kanë kapacitet për të dëmtuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, kanë thënë prokurorët.
Ky dokument i hartuar në gjykatën amerikane në Uashington, ka qenë pjesë e argumenteve finale të bëra nga autoritetet federale në rastin kundër Butinas, vendimi ndaj së cilës do të merret më 26 prill, pasi ajo ka pranuar fajësinë vitin e kaluar, duke thënë se ka qenë agjente e paregjistruar e një qeverie të huaj.
Ajo mund të dënohet me pesë vjet burgim, ndonëse zyrtarët amerikanë kanë kërkuar burgim 18 mujor dhe dëbimin e saj më vonë.
Përveç argumenteve përfundimtare, në padinë kundër Butinas janë dhënë detaje edhe se si autoritetet ligjore dhe zyrtarët e Inteligjencës i shohin përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në grupet politike, akademi, rrjete biznesore dhe pjesë tjera të shoqërisë.
“Marrja e informacioneve të vlefshme për një fuqi të huaj nuk nënkupton domosdo edhe mbledhje të dokumenteve të klasifikuara apo pjesëmarrje në aktivitete”, është thënë në një dokument.
Ndonëse ndaras hetimeve tashmë të përfunduara të këshilltarit special, Robert Mueller, rasti kundër Butinas është i ngjashëm në disa aspekte me atë proces dhe trajton një temë që vazhdon të jetë aktuale në politikën amerikane: si dhe pse Rusia ka tentuar të ndikojë në politikën amerikane gjatë dhe para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016?!
Spiunazh i llojit të vet
Në zemër të rastit të Butinas qëndrojnë pretendimet se para dhe gjatë studimeve të saj në Universitetin Amerikan në Uashington, ajo ka synuar të krijojë lidhje me grupe politike konservatore të SHBA-së, duke përfshirë Asociacionin Kombëtar të Pushkëve, në emër të të paktën një ligjvënësi të lidhur me Kremlinin.
Ajo nuk është akuzuar sipas Aktit për Regjistrim të Agjentëve të Huaj, mirëpo sipas një ligji amerikan të lidhur me disa forma të spiunimit.
Ky legjislacion shënjestron “forma të spiunazhit apo sjellje dhe lidhje me një shërbim të Inteligjencës për të vepruar në emër të një qeverie të huaj”.
Në të dhëna, prokurorët kanë përmendur projekte specifike të realizuara nga Butina. Shembull, në mars të vitit 2015, ajo është thënë të ketë hartuar projekt të quajtur “Projekt për diplomacinë”, me ndihmën e “U.S Person 1”, dhe për ta realizuar këtë plan, ajo ka kërkuar 125,000 dollarë nga një miliarder rus për të marrë pjesë në konferencë edhe për të krijuar “takime të ndara me palë të interesuara”.
“U.S. Person 1”, besohet të jetë në pronësi të Paul Erickson, një aktivisti konservator, që është identifikuar si i dashuri i Butinas. Ai është akuzuar në muajin shkurt për mashtrime në një rast që nuk është lidhur me atë të Butinas.
Në një pjesë të padisë është thënë se mbështetësi kryesor i Butinas në Rusi ka qenë Aleksandr Torshin, një ish-zyrtar i Bankës Qendrore dhe ish-ligjvënës, për të cilin autoritetet spanjolle kanë pretenduar se ka lidhje me krimin e organizuar në Rusi.
Ai është sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit në prill të vitit 2018, tre muaj para se Butina të arrestohej.
Butina ka qenë “plotësisht e vetëdijshme se ai i ka raportuar pjesës më të madhe të Qeverisë ruse dhe veprimet e saj kanë qenë në përfitim të një qeverie të huaj”, kanë thënë prokurorët.
Në dokumentacionin e bërë publik më 19 prill është përfshirë një “deklaratë” nga Robert Anderson, një veteran i FBI-së dhe ish-asistent për sektorin e kundërzbulimit. Me qëllim të fuqizimit të argumenteve qeveritare, në memorandum përmendet në detaje se si FBI-ja identifikon aktivitetet e të huajve që potencialisht mund të konsiderohen spiunim.
“Operacionet e qasjes nuk kërkojnë qasje në të dhëna sekrete”, ka thënë Anderson.
“Butina ka mbledhur informacion për një numër të amerikanëve që ajo ka besuar se kanë pasur qasje apo kanë pasur ndikim në përfaqësues të lartë të qeverisë amerikane. Ajo është fokusuar sidomos që amerikanë me ndikim politik dhe amerikanët që kanë pasur qasje në administratën e ardhshme presidenciale. Aftësia e saj për të fituar qasje te këta individë, do të kishte qenë tejet e rëndësishme për qeverinë ruse”, ka pretenduar ai.
“Butina e ka prezantuar veten si dikush që ka lidhje me nivele të larta në Qeverinë ruse, mirëpo nuk ka pyetur kurrë shënjestrat e saj që t’i ofrojnë ndonjë informacion konfidencial apo të bëjë diçka që qartazi do të ishte ilegale”, ka thënë Anderson.
Andrew Weiss, i cili ka qenë drejtor për Rusinë në Këshillin për Siguri Kombëtare nën udhëheqësinë e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ka thënë se i gjithë dokumentacioni, përfshirë deklaratën e Andersonit, duhet të shihen jo vetëm si kontekst për rastin e Butinas, mirëpo edhe paralelisht me atë që është theksuar në raportin e Muellerit, një pjesë e redaktuar e të cilit është publikuar më 18 prill.
Në këtë raport, Mueller ka vërtetuar përfundimet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, të fituara nga presidenti Donald Turmp, mirëpo nuk ka gjetur se fushata e Trumpit ka kryer komplot duke bashkëpunuar me Qeverinë ruse.
“Çështja më e rëndësishme është se ne kemi një rast kryesisht të vogël në krahasim me çështjet e ngritura nga hetimi i Muellerit. Dhe këtu me pas keni prokurorët e Departamentit të Drejtësisë që theksojnë pse ajo çfarë ka bërë Butina ka qenë aq e dëmshme, marrë parasysh edhe deklaratën e Andersonit”, ka thënë Weiss, i cili ka shërbyer për Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Pentagonin.
Bashkëbisedues fleksibilë
Ai ka thënë se kjo situatë ka pasqyruar atë që ka ndodhur në vitet 2016 dhe 2017, kur biznesmenë rusë dhe persona të tjerë, është thënë të kenë tentuar që të kenë qasje në administratën e Trumpit, diçka që është dokumentuar edhe në raportin e Muellerit.
“Pyetja është: A është e gabuar që të ketë njerëz që kërkojnë bashkëbisedues që janë më fleksibilë? A është keq që të ketë figura ruse që do të shikojnë nëse zyrtarët e administratës së Trumpit janë kundër nocioneve republikane sa u përket politikave të jashtme apo Rusisë?”, ka pyetur Weiss.
Kur ishte arrestuar, Butina i ka mohuar akuzat. Ajo ka ndryshuar deklaratën në muajin dhjetor dhe është pajtuar për të bashkëpunuar me prokurorët.
Megjithatë, avokatët mbrojtës sërish kanë insistuar se ajo nuk ka qenë spiune në kuptimin e plotë të fjalës, mirëpo një person që ka synuar të përmirësojë lidhjet toksike ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit./REL/
Abdixhiku vizitoi familjen e Presidentit Rugova: 80 vite më ...
Haradinaj: Mbështetja e Holandës në procesin e integrimit në...
Kumanova regjistron disa zjarrvënie që dyshohet të jenë krye...
Bisedë e thellë mes Leos dhe Lelës, sqarojnë gjithçka mes ty...
Juventusi dhe Interi garojnë për të siguruar nënshkrimin me ...
Kishin me vete mijëra para të padeklaruara, kapen në Morinë ...