Maqedonia e Veriut dëbon tre diplomatë rusë

16:14 | 16 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Maqedonia e Veriut ka dëbuar tre diplomatë rusë, që shënon dëbimin e tretë të diplomatëve të këtij shteti që nga fillimi i pushtimit rus ndaj Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të shtunën, më 16 shtator, se diplomatët janë dëbuar për shkak të “veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, pa dhënë detaje tjera se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë.

“Më 12 shtator, ambasadori i Federatës Ruse është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën janë shpallur persona non grata [persona të padëshiruar] tre diplomatë në Ambasadën e Federatës ruse në Shkup”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Informacionin për shpalljen e diplomatëve rusë si “persona të padëshiruar” fillimisht e ka bërë të ditur Ambasada Ruse, më 15 shtator.

Vendimi i MPJ-së së Maqedonisë së Veriut është publikuar në rrjetin social X – që më herët njihej si Twitter –dhe në postim është përcjellë komenti i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Për Rusinë, shpallja e tre diplomatëve të padëshirueshëm është një “akt i papërgjegjshëm dhe armiqësor”.

“Më 12 shtator, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqaruar arsyet, i shpallën ‘persona non grata’ tre diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës ruse.

Në mars dhe prill të vitit 2022, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar 11 diplomatë rusë, me arsyetimin e njëjtë, përkatësisht “shkeljen e Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Rusia kishte dëbuar një diplomat maqedonas nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë.

Në Ambasadën ruse në Shkup janë raportuar se janë gjithsej 19 diplomatë rusë, së bashku me ambasadorin dhe dy përfaqësues ushtarakë.

Pas agresionit rus kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, iu bashkua vendeve perëndimore që dënuan agresionin dhe vendosën sanksione kundër Federatës Ruse.

Maqedonia e Veriut gjithashtu ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në disa raste./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme