Autoritetet në Mal të Zi, në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, FBI dhe DEA, arrestuan të mërkurën nëntë persona të dyshuar për kontrabandën e rreth 2,5 ton kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë dhe Australi në tetor 2020 dhe qershor 2021, ndërsa gjashtë të dyshuar të tjerë janë ende në kërkim, njoftoi prokuroria malazeze.
Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi njoftoi se dyshohet që V.U. dhe R.Z. ishin organizatorët e kontrabandës së 1570 kilogramëve kokainë me anije nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Australi në tetor të viti 2020, si dhe 900 kilogramë në qershor të vitit 2021.
“Provat e mbledhura tregojnë se gjatë viteve 2020 dhe 2021, anëtarët e këtij grupi kriminal kanë trafikuar gjithsej 2,47 ton kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Australisë”, thuhet në njoftimin e organeve të rendit.
Organet e rendit thanë se individët e arrestuar ishin të lidhur ngushtë me celula të ndryshme kriminale në vend, brenda një rrjeti më të madh të trafikut të drogës, të përhapur në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Disa nga të ndaluarit dyshohet se i përkasin një prej klaneve më famëkeqe dhe të dhunshme malazeze “Kavaç”, ndërsa të tjerët dyshohen se drejtojnë grupet e tyre të pavarura kriminale.
Nëntë të dyshuarit njiheshin tashmë nga autoritetet, pasi ishin paraqitur në një sërë hetimesh të mëparshme për trafikun e drogës. Hetuesit kanë identifikuar se rrjetet ku ata luanin role drejtuese kishin zhvilluar një rrjet të madh logjistik për të lehtësuar trafikun e drogës nga BE-ja në Australi. Ata ishin në gjendje të furnizoheshin me kokainë nga vendet burimore dhe ta transportonin për shpërndarje në tregjet evropiane dhe australiane, thanë autoritetet.
Vitet e fundit, rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor kanë synuar gjithnjë e më shumë tregun australian të drogës, pasi të ardhurat e paligjshme të trafikut të kokainës atje janë dukshëm më të larta se në tregjet evropiane. Rruga e furnizimit përfshin Kolumbinë, Ekuadorin dhe Brazilin, me transferime përmes Evropës Jugore dhe Afrikës drejt Australisë./VOA
Sjellja e tmerrshme e Xum Allushit ndaj banorit të ri nga Ko...
Nicole Kidman zbulon filmin e saj të preferuar të të gjitha ...
Ambasada e SHBA-së në Kosovë uron Krishtlindjet
Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në vlerë mbi ...
Kushtetuesja e Speciales hudh poshtë referimin e Thaçit lidh...
LDK: Vazhdojnë përgatitjet drejt fitores së madhe!