Forcat venezueliane të sigurisë kanë arrestuar mijëra njerëz në vazhdën e protestave masive të javës së kaluar nga kundërshtarët e presidentit Nicolas Maduro, të cilët thonë se ai manipuloi zgjedhjet e 28 korrikut. Siç njofton korrespondentja Yan Boechat nga Karakasi, masat e fundit shtypëse kishin në shënjestër më të varfrit e Venezuelës, të cilët deri më tani kanë qenë baza kryesore e mbështetjes për zotin Maduro.
Për herë të parë në 25 vjet banorët që jetojnë në lagjet e varfra të kryeqytetit të Venezuelës dolën në rrugë për të protestuar kundër “Chavismos”, ideologjisë së qeverive të majta që kanë drejtuar këtë vend për dekada.
Kjo e kapi në befasi si qeverinë ashtu edhe opozitën.
Më pak se 24 orë pasi Nicolás Maduro shpalli fitoren në zgjedhje, banorët e lagjeve më të varfra në Karakas dolën në rrugë, një pjesë e tyre duke përplasur tenxheret dhe tiganët, të gjithë të indinjuar nga zgjedhjet, që opozita pretendon se u manipuluan.
“Ne jemi mbledhur këtu për shkak të manipulimit të zgjedhjeve dhe mashtrimit të popullit të Venezuelës. Jemi të lodhur nga shtypja në këtë vend kaq të bukur dhe kaq të mrekullueshëm”, thotë protestuesi José Valdez.
Turma e protestuesve eci drejt qendrës së qytetit. Ata vinin nga një grup lagjesh të varfra në Karakas, në të cilat jetojnë rreth 400,000 njerëz.
Ata u ndaluan me dhunë nga forcat e sigurisë.
Kështu filloi një javë e shtypjes brutale, në të cilën u vranë mbi 20 njerëz dhe u burgosën rreth 2000 të tjerë.
Masat shtypëse kishin në shënjestër segmentet më të varfra të popullsisë, ata që kanë qenë baza e mbështetjes për qeveritë e majta në dy dekadat e fundit. Ky segment i popullsisë tani po bën thirrje për ndryshime në Venezuelë.
Shumë prej tyre tani janë të zhdukur dhe familjet e tyre kërkojnë përgjigje.
“Më kanë dhënë shumë pak informacion se për çfarë e akuzojnë. Pse nuk më thonë asgjë për atë? Unë i pyes dhe ata ende nuk më thonë asgjë për gjendjen e tij”, thotë Hernán García, babai i një protestuesi të arrestuar.
Hernán Garcia është në kërkim të djalit të tij. Në dyert e qendrave të paraburgimit në Karakas, qindra njerëz si ai kërkojnë informacion për të afërmit e tyre të zhdukur. Pothuajse të gjithë janë banorë të lagjeve të varfra. Nuk kishte pothuajse asnjë nga opozita tradicionale në Venezuelë, anëtarët e së cilës zakonisht janë nga klasa e mesme dhe të arsimuar mirë.
Forcat e Maduros po godasin popullsinë më të varfër për të parandaluar ngritjen në protesta të banorëve të tjerë nga lagjet e varfra.
Si qeveria ashtu edhe opozita pajtohen se vetëm komunitetet më të varfra mund të jenë në gjendje të lëkundin qeverinë.
Ata ishin më besnikët, deri javën e kaluar.
Përgjigja ka qenë e ashpër ndaj atyre që patën guximin të protestonin në bastionin e ideologjisë majtiste “Chavismo”.
“Ne e dimë se ata po paraqiten në gjykatat e terrorizmit dhe ndaj tyre po ngrihen edhe akuzat për terrorizëm. Kjo është një vepër shumë e rëndë, që përfshinë dënimin me 30 vjet burg. Me fjalë të tjera, ky është dënimi maksimal që kemi në Venezuelë”, thotë Stefania Migliorini nga organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Foro Penal”.
Nicolas Maduro është zotuar se nuk do t’i falë dhe do të japë dënime të ashpra për ata që i konsideron terroristë.
Ndër dënimet, sugjeron ai, do të jetë puna e detyruar.
Në të kaluaën, kërcënimet kanë funksionuar. Banorët e lagjeve të varfra nuk kanë marrë pjesë në protestat e mëparshme të opozitës. Në atë kohë, protestuesit udhëhiqeshin nga klasa e mesme e Venezuelës.
Ngjarjet e javës së kaluar tregojnë se linjat e betejës për zotin Maduro po ndryshojnë./VOA
OBSH: Izraeli synon sistemin shëndetësor në Gaza
Në Shqipëri konfirmohen raste me Murtajën Afrikane të Derrav...
ATK-ja mblodhi gati 1 miliard euro të hyra sivjet, kontribuu...
Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QK...
Enis Bardhi po i bashkohet gjigantit kroat
Hovenier: Kosovë, gjithmonë do të kesh një vend të veçantë n...