Macron: Rusia nuk duhet të poshtërohet, pavarësisht gabimit historik të Putinit

15:01 | 4 Qershor 2022
L G

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se është jetike që Rusia të mos poshtërohet, në mënyrë që kur të ndalojnë luftimet në Ukrainë të mund të gjendet një zgjidhje diplomatike. Ai ka shtuar se besonte që Parisi do të luante një rol ndërmjetësues për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë, në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalojnë, ne të mund të ndërtojmë një platformë daljeje me mjete diplomatike. Unë jam i bindur se roli i Francës është të jetë një fuqi ndërmjetëse”, tha Macron në një intervistë për gazetat rajonale të botuara të shtunën.

Macron ka kërkuar të zhvillojë një dialog me presidentin rus Vladimir Putin që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt të këtij viti. Qëndrimi i tij është kritikuar vazhdimisht nga disa partnerë lindorë dhe baltikë në Evropë, pasi ata e shohin atë si minim të përpjekjeve për të presionuar Putinin në tryezën e bisedimeve.

Ai ka folur rregullisht me Putinin që nga pushtimi, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim dhe për të filluar një negociata të besueshme midis Kievit dhe Moskës. “Unë mendoj, dhe i thashë, se ai po bën një gabim historik dhe themelor për popullin e tij, për veten dhe për historinë”, tha Macron.

Franca e ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht, por deri më tani Macron nuk ka qenë në Kiev për të ofruar mbështetje simbolike politike si liderët e tjerë të BE-së, diçka që Ukraina ka kërkuar që ai të bëjë./a2/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme