Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi (sot) të martën që koalicioni ndërkombëtar i cili lufton kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri të zgjerohet për të përfshirë luftën kundër grupit militant palestinez Hamas në Gazë. Presidenti francez e bëri këtë propozim ndërsa po viziton Izraelin, por nuk dha detaje se si do të mund të bëhej kjo. Kryeministri izraelit, Netanyahu pas takimit e cilësoi luftën e vendit të tij kundër Hamasit si lufta për shpëtimin e qytetërimit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pas takimeve me udhëheqësit izraelit në Tel Aviv dhe Jerusalem, propozoi që grupi militant palestinez, Hamas të luftohet nga një forcë rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti Macron e bëri të ditur propozimin e tij gjatë konferencës për shtyp krahas kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu duke thënë sea shtu si grupi Shtetit Islamik, edhe Hamasi është një organizatë terroriste që ka për qëllim shkatërrimin e Izraelit.
“Kjo është arsyeja pse Franca është e përgatitur që koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, të luftojë edhe kundër Hamasit. Unë iu propozoj partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ndërtojmë një koalicion rajonal dhe ndërkombëtar për të luftuar kundër grupeve terroriste që na kërcënojnë të gjithëve”, tha Presidenti francez.
Zoti Macron megjithatë nuk dha detaje se si do të bëhet ndërtimi i këtij koalicioni, por theksoi se Franca dhe Izraeli e kanë terrorizmin “armikun e tyre të përbashkët”.
Koalicioni që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara përbëhet nga rreth 80 vende dhe organizata ndërkombëtare që ndërmerr veprime ushtarake, por gjithashtu lufton kundër financimit të terrorizmit, luftëtarëve të huaj terroristë dhe ndihmon në stabilizimin dhe rindërtimin e zonave të çliruara.
Kryeministri izraelit nuk e komentoi propozimin e Presidentit Macron, por luftën kundër Hamasit e vlerësoi si përballje të qytetërimit kundër të keqes.
“Hamasi është sprovë për perëndimin dhe për qytetërimin. Nëse Hamasi del fitimtar, ne të gjithë do të humbasim. Evropa do të rrezikohet. Qytetërimi do të rrezikohet. Prandaj kjo betejë nuk është thjesht e jona. Është beteja e Evropës. Është beteja e Amerikës. Është beteja e qytetërimit. Është beteja për zemrën dhe shpirtin, dhe të ardhmen e Lindjes së Mesme, dhe botës arabe”, tha gjatë konferencës për shtyp kryeministri Netanyahu.
Presidenti Macron paralajmëroi gjithashtu kundër rreziqeve të një konflikti rajonal, duke theksuar se lufta kundër Hamasit “duhet të jetë e pa mëshirë, por jo pa rregulla”.
Vizita e presidentit francez vjen pasi ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën u përpoqën të bien dakord të bëjnë thirrje për një “pauzë humanitare” në luftën midis Izraelit dhe Hamasit për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave për civilët./VOA
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...