Presidenti Emmanuel Macron pranoi të mërkurën se Franca duhet t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje vendeve të Evropës Lindore, të cilat paralajmëruan për një Rusi luftarake përpara se forcat e Moskës të pushtonin Ukrainën.
Zoti Macron tha në një forum sigurie se nuk duhet të ketë ndarje midis “Evropës së Vjetër” dhe “Evropës së Re”, duke iu referuar divergjencave të vazhdueshme mes anëtarëve të Bashkimit Evropian, lindor dhe perëndimor për çështje të tilla si Rusia.
“Disa thanë se kishim humbur një mundësi për të mos folur. Mendoj se ne gjithashtu humbëm mundësinë për t’ju dëgjuar. Kjo kohë ka përfunduar”, tha zoti Macron duke u duartrokitur gjatë një fjalimi në institutin GLOBSEC në kryeqytetin sllovak, Bratislavë.
Ai po i referohej një fjalimi në vitin 2003 nga presidenti i atëhershëm francez, Zhak Shirak, i cili tha se vendet e Evropës Lindore që ishin në anën e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë në vendimin e tyre për të ndërhyrë në Irak atë vit, e që u kundërshtua nga disa aleatë të mëdhenj perëndimorë, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kishin humbur një “mundësi të mirë për të mos u shprehur”.
Deklarata tronditi vendet e Evropës Lindore dhe kontribuoi në një mosbesim të vazhdueshëm ndaj Parisit nga anëtarëve më të rinj të BE-së, i cili është rishfaqur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
Pas pushtimit, vendet lindore të BE-së si Polonia, kritikuan zotin Macron për mbajtjen e hapur të kanaleve të komunikimit me presidentin rus Vladimir Putin, ose për deklaratat se Rusia nuk duhet të “poshtërohet” gjatë përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.
Të mërkurën, zoti Macron tha gjithashtu se Evropa duhet të ndërtojë industrinë e saj të mbrojtjes dhe jo të mbështetet vetëm tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtje, megjithëse ai pranoi se kontributi i SHBA-së me fonde dhe materiale ka qenë vendimtar për formimin e një fronti të besueshëm kundër Rusisë.
“Le të jemi mirënjohës dhe t’i themi faleminderit Shteteve të Bashkuara. Por a do ta kemi këtë administratë përgjithmonë?” pyeti zoti Macron. “Kjo është arsyeja pse një shtyllë e mbrojtjes evropiane në NATO është e domosdoshme”.
Shtetet e Bashkuara mbajnë zgjedhje presidenciale në nëntor të vitit 2024 ndërsa një nga kandidatët është zoti Donald Trump i cili sa ishte president tha se kombet evropiane duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre.
Zoti Macron tha se Rusia është përballur me probleme si rezultat i luftës në Ukrainë, duke përfshirë pranimin e Finlandës në NATO dhe humbjen e legjitimitetit në skenën globale.
“Lufta është larg përfundimit, por një gjë është e qartë: Ukraina nuk do të pushtohet. Ne mund të shohim se ajo që filloi si një ‘operacion special’ tani është një dështim gjeopolitik”, tha presidenti Macron./VOA/
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, sot prezanton raportin ...
Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora
Përurohet sot renovimi në hemodializën të Spitalit në Prizre...
Parashikimi i motit për sot
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian