Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, e ka pranuar të enjten se ai udhëheq një shtet autoritar, mirëpo ka pretenduar se nuk ka të burgosur politikë në shtetin e tij të izoluar.
“Po, sistemi ynë i pushtetit është më i ashpër. Unë as nuk e përjashtoj termin ‘autoritar’”, ka thënë Lukashenka në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP.
Grupi bjellorus për të drejta të njeriut Viasna, ka thënë se në këtë shtet aktualisht janë 1,259 të burgosur politikë.
Mirëpo Lukashenka ka hedhur poshtë diskutimet për “qindra” të burgosur dhe ka pretenduar se askush nga opozita nuk është duke u mbajtur në burg.
Lukashenka, i cili ka udhëhequr Bjellorusinë prej vitit 1994 synon të portretizojë gjithë opozitën ndaj tij si komplot të mbështetur nga Perëndimi.
Ai ka kritikuar bjellorusët që kanë marrë pjesë në protestat kundër rizgjedhjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Ata njerëz kanë dalë kundër shtetit. Jo kundër autoriteteve, por kundër shtetit dhe kombit të tyre”, ka thënë ai.
Lideri 67-vjeçar ka shuar protestat me ndihmën e aleatit të tij, presidentit rus, Vladimir Putin.
Liderët kyçë të protestave janë të burgosur apo kanë ikur nga shteti.
“Nuk jam diktator”, ka thënë Lukashenka, ndonëse ka pranuar se Bjellorusia ka “elemente të autoritarizmit”.
“Nuk jam aq i egër sa mendoni ju”, ka shtuar ai.
Prej shuarjes së protestave, autoritetet bjelloruse kanë goditur secilin që ka shfaqur mospajtime ndaj shtetit./rel
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...