Lukashenka: Bjellorusia do të bëhet fuqi bërthamore

14:14 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

Alyaksandr Lukashenka ka hapur zyrtarisht centralin e parë dhe të vetëm bërthamor në Bjellorusi, duke thënë se ky shtet i Evropës Lindore “do të kthehet në fuqi bërthamore”.

“Stacioni bërthamor Astravets përbën një hap drejt së ardhmes dhe garantimit të sigurisë së energjisë së këtij shteti”, ka thënë Lukashenka në një adresim përmes televizionit shtetëror më 7 nëntor.

Ndërtuar nga kompania ruse, Rosatom dhe e financuar nga Moska me 10 miliardë dollarë hua, ndërtimi i centralit bërthamor afër qytetit Astravets, është kundërshtuar nga Lituania, kryeqyteti i së cilës, Vilnus, është vetëm 50 kilometra larg.

Astravets tërheq ujin për reaktorët e tij ftohës nga Lumi Nevis, që po ashtu furnizon me ujë të pijshëm Lituaninë.

Bjellorusia ka nisur aktivizimin e këtij centrali më herët gjatë javës, duke e shtyrë Lituaninë që të ndalë importet e elektricitetit nga shteti fqinj.

Ndërtimi i këtij centrali është parë ndryshe edhe në mesin e bjellorusëve, të cilët janë përballur me dëme të mëdha si pasojë e katastrofës bërthamore të Çernobilit më 1986.

Një çerek i territorit të këtij shteti ishte kontaminuar në aksidentin më të tmerrshëm civil bërthamor në gjithë botën.

Ky inaugurim vjen teksa Bjellorusia përballet gati çdo ditë me protesta dhe greva, prej zgjedhjeve të 9 gushtit.

Opozita dhe Perëndimi besojnë se ky proces zgjedhor është manipuluar.

Lukashenka, i cili ka qenë në pushtet nga viti 1994 ka kundërshtuar akuzat dhe ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe shtete tjera, kanë refuzuar të njohin Lukashenkas si lider legjitim të Bjellorusisë.

Më 6 nëntor, BE-ja e ka shtuar Lukashenkan, djalin e tij, Viktar dhe 13 zyrtarë tjerë në listën e zezë të zyrtarëve bjellorusë, për rolin e tyre në falsifikimin e votave dhe shtypjes së protestave nga ana e qeverisë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme