Luftime të ashpra në Soledar të Ukrainës

09:44 | 10 Janar 2023
L G

Ushtria ukrainase tha se ka kryer sulme ajrore gjatë natës ndaj pozicioneve të paspecifikuara ruse, përderisa luftimet e ashpra në qytetin e vogël juglindor të Soldarit kanë vazhduar. Në këtë qytet, forcat ruse thuhet se kanë bërë përparime taktike gjatë katër ditëve të fundit.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase po ashtu tha më 10 janar se ushtria ruse po kryen operacione ofensive në drejtim të disa qyteteve në rajonin lindor të Donjeckut, përfshirë në Bahmut, Avdiv dhe Liman, teksa Moska po tenton të përmirësojë edhe pozicionin e saj taktik në drejtim të Kupjanit.

Ushtria ukrainase po ashtu tha se ka rrëzuar dy dronë të armikut.

Radio Evropa e Lirë nuk mund të vërtetojë pretendimet specifike sa i përket përparimeve në fushëbetejë dhe viktimave.

Por, inteligjenca britanike tha më 10 janar se beson se “aksi në Soledar për Rusinë ka të ngjarë të jetë një përpjekje për të rrethuar” nga veriu qytetin e afërt Bahmut “dhe të prishë linjat e komunikimit” të ushtrisë ukrainase.

Sipas vlerësimit të inteligjencës britanike, “në të paktën katër ditët e fundit, forcat dhe [grupi i mercenarëve, Vagner] kanë bërë përparime taktike” drejt qytetit e minierave, Soledar dhe “ka të ngjarë që janë nën kontrollin e shumicës së territorit të këtij vendbanimi”.

Britania sugjeroi se çdo palë “ka të ngjarë të jetë e shqetësuar” lidhur me mundësinë që armiku të përdorë tunelet e pashfrytëzuara prej 200 kilometrash të minierës, që kalojnë nën këtë zonë.

Ushtria ukrainase më herët kishte deklaruar se forcat ruse janë dislokuar sërish në Soledar në verilindje të rajonit të Donjeckut, pasi dështuan që të marrin qytetin Bahmut.

Ukraina tha se trupat ruse kanë nisur të rigrupohen pasi Moska në mënyrë të njëanshme shpalli armëpushim gjatë fundjavës së Krishtlindjes Ortodokse.

Trupat ukrainase vazhdojnë të mbajnë kontrollin e Soledarit, tha guvernatori rajonal i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, më 9 janar, duke thënë se janë “të rreme” raportimet se trupat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit.

“Soledar është një pikë e nxehtë, që pothuajse nuk i ka mbetur asnjë infrastrukturë, vetëm fortifikime dhe mina”, tha ai për televizionin ukrainas.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të marrë Soledarin, armiku “është rigrupuar, ka ndryshuar taktikat dhe ka nisur një sulm të fuqishëm”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se qëndrueshmëria e forcave ukrainase për të luftuar valën e sulmeve i ka ndihmuar shtetit që të fitojë kohë dhe të forcohet.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur as Soledarit dhe Bahmutit në përditësimin më 9 janar. Deklaratat e ministrisë janë përqendruar në një sulm të pretenduar në një shkollë në Kramatorsk, ku thanë se janë vrarë dhjetëra trupa ukrainase më 7 janar. Por, gazetarët e AP-së që vizituan këtë vend, nuk gjetën dëshmi për ndonjë sulm të madh dhe zyrtarët lokalë u thanë gazetarëve se në këtë vend nuk është vrarë asnjë ushtar.

Bahmuti dhe Soledari gjenden në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, që presidenti rus, Vladimir Putin, pretendon se e ka aneksuar. Putin e ka vendosur si prioritet kryesor marrjen e kontrollit të plotë të Donjeckut dhe rajonit fqinj, Luhansk – që përbëjnë Donbasin – thanë analistët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme