Luftime të ashpra midis forcave ukrainase dhe ruse po zhvillohen në disa pjesë në lindje të Ukrainës dhe në rajonin verilindor të Harkivit, teksa Moska po vazhdon shtypjen e protestave kundër mobilizimit ushtarak.
Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se rajoni lindor i Donjeckut vazhdon të jetë top-prioritet i Ukrainës – dhe i Rusisë – me luftimet që po zhvillohen në disa qytete, teksa trupat ruse po tentojnë të përparojnë në jug dhe perëndim.
Gjatë një adresimi në orët e vona të 26 shtatorit, Zelensky tha se situata ushtarake në Donjeck është “veçanërisht e rëndë”.
“Ne po bëjmë gjithçka që të vëmë nën kontroll aktivitetin e armikut. Ky është qëllimi ynë kryesor tani, sepse Donbasi vazhdon të jetë qëllimi kryesor i pushtuesve”, tha Zelensky.
Zyrtarët rajonalë thanë se Rusia ditëve të fundit ka kryer të paktën pesë sulme në rajonin e Odesës duke përdorur dronët iranianë.
Raketat ruse kanë goditur aeroportin në Krivi Ri, në Ukrainën qendrore, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke bërë që aeroporti të dalë jashtë funksionit, tha Valentyn Reznichenko, guvernator i rajonit Dnipropetrovsk.
Komanda jugore e forcave të armatosura të Ukrainës tha më 27 shtator se kundërofensiva në rajonin juglindor të Hersonit ka rezultuar në vrasjen e 77 ushtarëve të armikut, shkatërrimin e gjashtë tankeve, pesë obusëve, tri armëve kundërajrore dhe 14 makinave të blinduara.
Këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Luftime po ashtu po raportohen në rajonin e Harkivit, rajon në verilindje të Ukrainës që ka qenë në shënjestër të kundërofensivës që Kievi ka nisur gjatë këtij muaji.
Ndërkaq, forcat ukrainase kanë vazhduar fushatën e tyre për të shkatërruar katër ura, me qëllim që të ndërpresin linjat e furnizimit për forcat ruse në jug të vendit.
Në Rusi, njoftimi për mobilizimin e 300.000 rezervistëve ka nxitur protestat më të mëdha që nga nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Organizata që monitoron arrestimet politike në Rusi, OVD-Info, tha se më 25 shtator janë arrestuar 2.353 persona, ndërkaq më 26 shtator u arrestuan edhe të paktën 141 protestues të tjerë. Në këtë shtet, kritikat ndaj “operacionit të posaçëm ushtarak” të Rusisë, janë të ndaluara.
Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, dy media ruse që veprojnë jashtë vendit – Meduza dhe Novaya Gazeta Europe – raportuan se autoritetet po planifikojnë që burrave t’ua ndalojnë largimin nga vendi, teksa radhët e gjata të makinave po shihen në pikat kufitare. Raportohet se radhët në kufirin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë janë të gjata 48 orë. Shtetasit rusë mund të hyjnë në Gjeorgjinë fqinje pa pasur nevojë për vizë.
I pyetur për mundësinë e mbylljes së kufirit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 26 shtator se “unë nuk di asgjë për këtë çështje deri në këto momente. Aktualisht, nuk ka ndonjë vendim për këtë gjë”.
Në Uashington, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë aplikimet për azil të rusëve që po ikin nga mobilizimi i pjesshëm ushtarak që presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli më 21 shtator. /rel
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?