Teksa një aeroplan ushtarak rus fluturoi mbi Gjeorgji, David Ratiani shikoi lart duke shtrënguar grushtin me aq zemërim, saqë thonjtë iu ngulën në mish.
“’Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e pafuqisë që më kaploi në atë moment’”, kujton Ya Shashviashvili t’i ketë thënë bashkëshorti i saj, në një nga rastet e rralla që ai ka treguar për përvojën e tij gjatë luftës së shkurtër e shkatërrimtare të Gjeorgjisë me Rusinë, në vitin 2008.
Lufta, e nisur në rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë, vrau më shumë se 200 ushtarë dhe 300 civilë, si dhe zhvendosi mijëra të tjerë, ndërsa i la të dy territoret në një gjendje konflikti të ngrirë. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, përvjetori i së cilës u shënua në Gjeorgji edhe më 7 gusht, edhe më 8 gusht, Rusia ka ende trupa të vendosura në Osetinë e Jugut dhe në Abkhazi.
Për shumë njerëz në Gjeorgji, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ngjall kujtime të luftës së vendit të tyre me fqinjin e fuqishëm, që dikur i sundonte. Shumë gjeorgjianë, që luftuan më 2008, kanë shkuar në Ukrainë, për t’i rrokur armët në mbështetje të forcave të Kievit. Shumë prej tyre e paguan me jetë.
Qindra gjeorgjianë besohet se po luftojnë në Ukrainë, kryesisht si pjesë e Legjionit Gjeorgjian, një njësit luftëtarësh që u formua në vitin 2014, pasi Rusia filloi të nxiste trazira në rajonin industrial lindor ukrainas të Donbasit, pak pasi Kremlini aneksoi ilegalisht Krimenë. Legjioni, i cili thuhet se numëron ndërmjet 800 deri në 1.000 luftëtarë – gjysma e të cilëve janë gjeorgjianë, ndërsa gjysma tjetër pjesëtarë të kombësive të tjera – është integruar në forcat e armatosura të Ukrainës.
“Ishte një betejë e papërfunduar dhe ai donte ta përfundonte atë”
Ratiani, apo Dato, pseudonimi të cilin ai e përdorte, nuk kishte dilema nëse duhej të luftonte apo jo për Ukrainën kundër të njëjtit armik.
“Kjo është arsyeja pse ai shkoi në Ukrainë”, rrëfen bashkëshortja e tij, Shashviashvili, duke folur për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë.
“Ishte një betejë e papërfunduar dhe ai donte ta përfundonte atë. Kjo ndjenjë, kjo dhimbje disfate, ishte rrënjosur thellë në mendjen e tij. Ai shpresonte se kishte ardhur koha për fitore dhe për hakmarrje, dhe u largua në rastin e parë”.
Më 2008, Ratiani, i cili ishte pjesëtar i ushtrisë gjeorgjiane, mori urdhër të luftonte, sapo shpërtheu armiqësia me rusët, thotë Shashviashvili.
“Kur u dha lajmi në televizion se kishin filluar operacionet ushtarake, ai përgatiti valixhet menjëherë. Edhe tash e shoh ende para syve të mi, duke shkuar nga dhoma në dhomë, duke vrapuar drejt banjës, duke hedhur gjëra në një çantë, e më pas duke dalë nga shtëpia”, kujton ajo.
Asokohe, Ratiani po linte pas jo vetëm bashkëshorten, por edhe të birin njëvjeçar, si dhe nënën e tij, që jetonte me ta.
“Ne ishim duke qëndruar jashtë shtëpisë, në oborr, unë dhe vjehrra ime, duke mbajtur foshnjën, me fytyra të trishtuara – po i shikonim këta djem që po niseshin dhe po mendonim se çfarë të bënim”, kujton Shashviashvili, duke shtuar se në atë kohë sapo kishte marrë vesh se ishte shtatzënë me një fëmijë tjetër.
Kur u kthye nga lufta, bashkëshorti i saj rrallë foli për konfliktin.
“Ai nuk tha pothuajse asgjë. Në përgjithësi, nuk i pëlqente të fliste për jetën e tij në ushtri. Ishte si një temë tabu. Por, ato ditë, ai heshti edhe më shumë”, thotë ajo.
Një nga kujtimet e pakta që ai ndau, ishte koha kur avioni ushtarak rus fluturoi mbi të, në bazën ushtarake të Senakit, kur ai shtrëngoi grushtin dhe bërtiti “si një fëmijë i vogël”.
Pas luftës së vitit 2008, Ratiani vazhdoi të shërbente në ushtrinë gjeorgjiane dhe, në vitin 2014, u dërgua në Afganistan, për të marrë pjesë në Misionin e Mbështetjes Vendimtare të NATO-s, për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane të sigurisë për të luftuar terrorizmin. Gjatë asaj kohe, thotë Shashviashvili, ai ia shpëtoi jetën një personi, gjatë një sulmi terrorist.
Më 2019, Ratiani, atëherë 50 vjeç, u tërhoq nga shërbimi aktiv, dhe filloi jetën civile, duke punuar si shofer për kompani të ndryshme private. Ai ishte, gjithashtu, i interesuar për politikën, duke u bërë anëtar i fraksionit opozitar “Bashkimi bën fuqinë”, në parlamentin e Gjeorgjisë.
Por, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022, Ratiani u nis shpejt për të luftuar bashkë me ukrainasit. Ishte beteja e tij e fundit. Më 18 mars 2022, 53-vjeçari Ratiani u vra, siç u tha, nga të shtënat ruse me mortaja në vijat e frontit, në Irpin, duke u bërë viktima e parë nga radhët e luftëtarëve gjeorgjianë në Ukrainë.
Irpini, i ndodhur afër kryeqytetit, Kiev, u shkatërrua nga ushtria ruse, shumica e ndërtesave të tij u shndërruan në gërmadha, ndërsa shumë prej civilëve të tij përjetuan vështirësi të jashtëzakonshme përballë forcave pushtuese ruse.
Dikur shtëpi e rreth 65.000 njerëzve, Ukraina e shpalli Irpinin “qytet heroik”, duke njohur vendosmërinë e treguar nga banorët e tij përballë fatkeqësive.
“Sa të jem gjallë, nuk do ta ndali telefonin”
Më 7 gusht 2008, në orën 4 të mëngjesit, kur Avto Rurua u thirr dhe u urdhërua të paraqitej në bazë, ai i tha bashkëshortes së tij 20-vjeçare, Elmira Inalishvili: “Mos u shqetëso, çfarëdo që të ndodhë, sa të jem gjallë, nuk do ta ndali telefonin”.
Rurua po shërbente në forcat e armatosura gjeorgjiane, së bashku me vëllain dhe me kushëririn e tij.
Kur shpërtheu lufta me Rusinë, Rurua, refugjat nga Abkhazia, dhe bashkëshortja e tij, jetonin në Abastumani, një qytezë me më pak se 1.400 banorë. Ata ishin, gjithashtu, prindër të rinj, me një bebe vetëm trijavëshe.
Kur Rurua u largua për të luftuar, një fqinj dërgoi Inalishvilin dhe foshnjën e tyre në fshatin Lesiçinë, duke besuar se atje do të ishte më sigurt për ta.
“Deri më 8 gusht kam qenë në kontakt me Avton përmes telefonit”, rrëfen Inalishvili për Radion Evropa e Lirë.
“Më tha se gjithçka ishte në rregull, por më 8 gusht humba kontaktin me të. Meqë më tha se nuk do ta fikte kurrë telefonin sa të ishte gjallë, mendova se Avto kishte vdekur”.
Gjatë pesë ditë luftimesh, Inalishvili nuk kishte asnjë informacion për fatin apo vendndodhjen e bashkëshortit të saj. “Madje, m’u ndërpre qumështi për fëmijën, sepse kisha aq ankth. Nuk kishte ushqim për beben dhe asnjë lajm për Avton”, shpjegon ajo.
Pak para agimit, në ditën e gjashtë të luftës, kur luftimet po pakësoheshin, ra zilja e telefonit të Inalishvilit.
“Më kujtohet që po mbaja foshnjën në njërën dorë, dhe telefonin në tjetrën. Kështu po flija. Nuk do ta harroj kurrë zërin e tij, kur tha: ‘Jam gjallë’. Frika u zhduk përnjëherë. E rëndësishme ishte se ai ishte gjallë”, thotë ajo.
Rurua u kthye i rraskapitur në shtëpi, te familja. “Këmbët e tij ishin aq të ënjtura nga gjithë ato ecje në pyll dhe në male, sa nuk mund t’i hiqte çizmet ushtarake”, tregon Inalishvili.
Përderisa edhe vëllai i Ruruas i mbijetoi luftës së gushtit, kushëriri i tij, Badri Beradze, u vra.
“Avto nuk mund ta falte Rusinë për luftën e gushtit. Ai humbi një kushëri dhe disa miq. Prandaj shkoi në Ukrainë. Kur po nisej për luftë, djali i tij i madh, Aleksandr, e pyeti atë: ‘Pse po shkon? Ti je gjeorgjian, lufta është në Ukrainë’. Avto u përgjigj: ‘Rusia na mori vëllain, mori territoret gjeorgjiane’”, kujton Inalishvili ditën kur burri i saj u nis drejt Ukrainës, në vitin 2022.
“Ai i dha djalit të madh një ikonë, që ta mbante në qafë, dhe i kërkoi të mos e hiqte derisa të kthehej. Thjesht nuk mund ta besoja se ai po shkonte në luftë, i gatshëm për vdekje pothuajse të sigurt… Më vjen inat kur dëgjoj njerëz që thonë se këta luftëtarë shkojnë në Ukrainë për para dhe vdesin për para. Këta njerëz kanë pasur një luftë për të përfunduar, prandaj kanë shkuar në luftë”, shprehet Inalishvili.
Para se të nisej drejt Ukrainës, Rurua kishte punuar si rojë në një hotel, në një vendpushim në Batumi, në bregun e Detit të Zi, dhe më pas në ndërtimtari në kryeqytet, Tbilisi.
Më 2 dhjetor 2022, Rurua vdiq në moshën 41-vjeçare, së bashku me katër luftëtarë të tjerë gjeorgjianë, pranë qytetit të sulmuar të Bahmutit, në lindje të Ukrainës, në atë që u raportua të ketë qenë sulm nga luftëtarë çeçenë.
Vëllai i tij, i cili, gjithashtu, po lufton tani në Ukrainë, është zotuar se nuk do të kthehet në shtëpi pa trupin e Ruruas, i cili nuk u gjet kurrë.
“Ai nuk ishte i lumtur, por këtë nuk e shfaqi para askujt”
Edisher Kvaratskhelia ishte pjesëtar i ushtrisë gjeorgjiane, gjatë luftës së gushtit të vitit 2008, dhe shërbente në Brigadën e Katërt të Mekanizuar, e cila u raportua të kishte pësuar numrin më të madh të viktimave gjatë konfliktit.
Kur Kvaratskhelia u thirr në luftën e gushtit, vëllai i tij më i vogël, Bakuri, shprehu dëshirën t’i bashkohej, por u refuzua, për shkak të mungesës së përvojës.
“Ai luftoi bashkë me Brigadën e Katërt. Kur ushtria u tërhoq, ai u largua me të. Nëse më kujtohet mirë, më 14 gusht, takova djemtë kur ata u tërhoqën me të gjitha pajisjet dhe tanket e tyre”, thotë Bakur për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë. “Aty pashë për herë të parë se si një person mund të shtrihej mbi një tank dhe të flinte nga lodhja. Ai nuk ishte i lumtur, por këtë nuk e shfaqi para askujt”.
Pas luftës, Kvaratskhelia mbeti në ushtri edhe pasi mbaroi shërbimi i detyrueshëm. Ai studioi për inxhinieri ushtarake dhe pastrim minash, duke u bërë specialist.
Vëllai i tij, sipas Bakurit, besonte se gjaku i derdhur nga ushtarët gjeorgjianë në vitin 2008 nuk ishte i kotë. Dhe, ndoshta për këtë arsye, Kvaratskhelia u largua për të luftuar në Ukrainë më 2014, kur Rusia mori ilegalisht kontrollin e Gadishullit të Krimesë dhe filloi t’i mbështeste luftëtarët separatistë në Donbas.
Përcjellja e Kvaratskhelian në aeroport, më 2014, ishte hera e fundit që ai do të shihte ndonjëherë vëllain e tij.
“Edisher ishte shtatë vjet më i madh se unë. Ai ishte gjithmonë idhulli im, shembull për mua. Kur shkoi në luftë në vitin 2008, më besoi detyrën e vështirë për të mbajtur qetësinë e familjes”, thotë Bakur. “Ai mision më ra përsëri, kur ai shkoi për të luftuar në Ukrainë. Kur dikush shkon në luftë, anëtarët e familjes madje mund pajtohen me faktin se ata nuk mund t’i shohin më të gjallë. E di që është mënyra e luftëtarit, por është agoni ta humbësh mishin dhe gjakun tënd”.
Kvaratskhelia vdiq, në moshën 44- vjeçare, më 10 tetor 2022, gjatë luftimeve pranë Bahmutit. Ai u nderua me disa medalje për heroizëm në Ukrainë./rel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...