Luftanija amerikane përshkon Detin e Kinës Jugore

07:09 | 11 Prill 2023
E.H

Një luftanije amerikane lundroi pranë një serie ishujsh të hënën, sovraniteti mbi të cilat pretendohet nga Kina, Filipinet si dhe vende të tjera, përfshirë Tajvanin, ndërkohë që Kina po zhvillon ditën e tretë të stërvitjeve ushtarake përqark Tajvanit të vetëqeverisur.

Marina amerikane tha se destrojeri me raketa USS Milius veproi në kuadrin e një operacioni për lirinë e lundrimit pranë brezit të ishujve Spratly, të gjendur mes Vietnamit dhe Filipineve, për të demonstruar të drejtën e “përdorimit të ligjshëm të deteve”.

Marina amerikane tha se luftanija USS Milius demonstroi se kjo zonë nuk i përket një zone territoriale detare, sipas ligjit ndërkombëtar.

Marina amerikane kryen rregullisht udhëtime pranë ishujve Spratly në Detin e Kinës Jugore, për të protestuar ndaj atyre që i quan “pretendime të tepruara detare” të Kinës.

Kina ka krijuar mijëra hektarë ishuj artificialë përgjatë brezit të këtyre ishujve dhe pretendoi të hënën se Shtetet e Bashkuara kishin “kaluar ilegalisht”.

Pekini pretendon sovranitet mbi çdo aspekt të Detit të Kinës Jugore, me synimin për të kufizuar lundrimin dhe për të ndalur aktivitetin e ligjshëm tregtar të anijeve nga Filipinet dhe Vietnami. Krahas Kinës, pretendime rreth sovranitetit të këtyre ishujve kanë edhe Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami.

“Shtetet e Bashkuara mbrojnë parimin e lirisë së lundrimit për të gjitha vendet. Për sa kohë disa vende vazhdojnë të pretendojnë dhe të ushtrojnë kufizime ndaj të drejtave duke tejkaluar autoritetin e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë garantimin e të drejtave dhe lirive në det për të gjithë. Asnjë pjesëtar i komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të frikësohet apo të shtrëngohet të heqë dorë nga liritë dhe të drejtat e tij”, thuhet në një deklaratë të marinës amerikane.

Operacioni amerikan u zhvillua ndërsa Kina ka dërguar të hënën të paktën dymbëdhjetë luftanije dhe 70 avionë luftarakë drejt Tajvanit, në ditën e tretë të stërvitjeve ushtarake, që filluan pasi presidentja e Tajvanit u takua javën e kaluar me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy në Los Anxhelos.

Qeveria e Tajvanit tha se iu përgjigj lëvizjeve të Kinës duke përgatitur flotën e saj dhe sistemet tokësore të mbrojtjes me raketa.

Ministria e Jashtme e Kinës ka kritikuar ashpër takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre tajvanezë. Partia Komuniste Kineze ka thënë se dëshiron të marrë kontrollin e Tajvanit, një ishull demokratik, brenda vitit 2027 dhe se është e gatshme të përdorë forcën, nëse është e nevojshme.

Ndihmësi Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Çështjet Publike, Chris Meager, u tha gazetarëve të hënën se Pekini nuk duhet ta përdorë vizitën e udhëheqëses tajvaneze në Kaliforni si “pretekst për një reagim të tepruar”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë kanale të hapura komunikimi me Republikën Popullore të Kinës, por se deri më tani, Pekini ka refuzuar kërkesat për angazhim me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe me Shefin e Shtabit, Gjeneralin Mark Milley.

Grupi luftarak detar USS Nimitz dhe një grup amfib detar ndodhen aktualisht në rajon dhe zoti Meagher tha se do të vazhdojnë atje operacionet e rregullta.

“Do të vazhdojmë kalimin e sigurtë dhe të përgjegjshëm në detet dhe qiejt e Paqësorit perëndimor, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha ai të hënën./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme