Për të prodhuar mikroçipet më të avancuara, avullohen pikat e kallajit të shkrirë me dy shpërthime të njëpasnjëshme të një lazeri. Plazma që krijohet lëshon një rrezatim ekstrem ultravjollcë, një dritë me gjatësi vale shumë të shkurtër. Lentet e qelqit thithin një pjesë të mirë të rrezatimit.
Kështu përdoren pasqyrat për ta drejtuar dritën tek një amalgamë silikoni dhe për të prodhuar transistorë me përmasa 5 nanometra ose më pak, sa madhësia e disa atomeve. Sipërfaqja e këtyre pasqyrave është e lëmuar deri në nivelin e një atomi.
Makineritë tejet komplekese janë afërsisht të mëdha sa një autobus urban, dhe kushtojnë secila 150 milionë dollarë. Po ashtu secila prej tyre përmban 100.000 pjesë përbërëse, dhe shumë nga ato pjesë janë makina komplekse më vete. Pasi të jetë tërhequr një shtresë tranzistori, shumë shtresa të tjera i mbivendosen sipër.
Gjysmëpërçuesit janë në fakt “rrokaqiejt” e të pafundmes. Sa më shumë shtresa të ketë, aq më kompleks dhe më i fuqishëm është mikroçipi. Modelet më të avancuara kanë afro 200 shtresa, dhe të gjitha duhet të përputhen me saktësi në gjatësinë e tyre në nanometër.
Disa nga këto shtresa janë vetëm një atom i hollë. Njerëzit ndonjëherë thonë se ndërtimi i mikroçipave është si një lloj printimi me dritë. Por ndoshta është më e saktë të thuhet se është si printimi i dritës. Çipat janë krijime të çuditshme.
Nëse raketat – dhe shkenca e raketave – përfaqësojnë kërkimin njerëzor për atë që është pafundësisht e madhe, mikroçipat na tregojnë atë që Blaise Pascal e quajti “humnera e asgjësë”. Ato janë afër dritës së pastër dhe afër kapitalit të pastër.
Me çipat më të mirë mund të kursejmë energji dhe të krijojmë teknologji shumë të zgjuara, me të cilat nuk mund të konkurrojë askush. Dhe ndërsa silikoni është shumë i disponueshëm, kjo nuk është e vërtetë për mikroçipat e avancuar.
Që të mbijetojë në treg një kompani në këtë fushë, ajo ka nevojë për kapital dhe talent në një sasi gjithnjë e në rritje. Pak kompani mund të vazhdojnë të përballojnë ritmin, ndaj nuk është për t’u habitur që çipat më të mirë janë bërë shumë më të vështirë për t’u blerë.
Aktualisht vetëm 3 kompani janë në gjendje të diktojnë çmimet në treg. Gjatë muajve të fundit ka pasur raporte se Kina ka filluar të rivalizojë lideren në këtë industri, “TaiwanSemiconductor Manufacturing Company”. Sigurimi që Kina të mos ishte më e varur nga prodhuesit e çipave jashtë shtetit u bë një prioritet për Pekinin, që kur Uashingtoni i mohoi kompanisë kineze “Huawei” qasjen në softuerët dhe komponentët e harduerit amerikan.
Pjesa më e madhe e kësaj mbetet “top sekret”. Por një raport i rrallë nga “Nikkei Asia” në vitin 2021 përshkuante në detaje krijimin në Kinë të një grupimi sekret me përfaqësues të industrisë dhe zyrtarëve politikë të Partisë Komuniste, misioni i të cilëve është të rishikojnë të gjithë komponentët e nevojshëm për të zhvilluar kapacitetet e gjysmëpërçuesve kineze dhe të krijojnë një rrjet të ri të “doppelgängers” (sozive) teknologjike.
“Shanghai Micro Electronics Equipment”, nën kontrollin e shumicës nga qeveria rajonale e Shangait, shihet si një kampion kombëtar që një ditë mund të konkurrojë me ndërtuesit e makinerive litografike ASML, kompania holandeze përgjegjëse për risitë në rrezatimin ekstrem ultravjollcë.
Një person i brendshëm në këtë industri, e quan teknologjinë një formë të “magjisë së zezë”. Kina e ka pasur të vështirë të ruajë sekretet e saj, por në fusha të tjera përparimi është i jashtëzakonshëm: “Yangtze Memory Technologies” ka prodhuar çipa memorie me 128 shtresa në Wuhan dhe thuhet se është afër prodhimit të një çipi me 192 shtresa.
Nëse ndodh, çipi i pagëzuar me emrin “Himalaja” do të konkurrojë me “Burj Khalifa”, një çip 176-shtresësh i krijuar nga prodhuesi amerikan “Micron” vitin e kaluar. Kur nisi lufta në Ukrainë, një nga qëllimet e Evropës dhe SHBA-së ishte ta privonin Rusinë nga qasja tek lloji i çipave që i nevojiteshin për të ndërtuar avionë dhe raketa, apo për ta modernizuar ekonominë e saj.
Ishte jetike që Tajvani t’i bashkohej sanksioneve, gjë që ndodhi. Kina u bë shpejt një furnizues alternative për Rusinë. Por ajo nuk është ende në gjendje të prodhojë çipat më të avancuar. Mesazhi nga Perëndimi ishte i qartë: nëse Kina do të pushtonte Tajvanin, ajo do
të përjashtohej në mënyrë të ngjashme nga aksesi tek gjysmëpërçuesit, dhe pasojat mund të ishin katastrofike për një ekonomi me një oreks kaq të pangopur për çipat.
Një ndërlikim i dukshëm, është se çipat e avancuar prodhohen kryesisht në Tajvan. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar miratimin e një pakete industriale që synon kthimin e impianteve gjysmë–përçuese në SHBA. Por fondi i ndarë për ta bërë këtë duket i pamjaftueshëm.
Një luftë në Tajvan mund t’i privojë që të gjithë, dhe jo vetëm Kinën, nga gjenerata e fundit e çipave, duke shkaktuar një depresion industrial në mbarë botën. Për çdo rast, shumë vende mund të dëshirojnë të fillojnë që tani të grumbullojnë telefona inteligjentë të përdorur.
Dy analistë të gjeopolitikës, argumentuan vitin e kaluar se mënyra më e mirë për të ndalur një pushtim kinez të Tajvanit, do të ishte që qeveria e saj të njoftonte paraprakisht se industria tajvaneze gjysmëpërçuesve do të shkatërrohej që në momentet fillestare të një pushtimi.
Kjo dukej si një qasje naive. Nuk ka asnjë rrezik që forcat kineze të vënë nën kontroll industrinë në ishull, e cila varet nga rrjetet delikate globale dhe inputet e mëdha të kapitalit njerëzor.
Nga Ukraina në Tajvan, aktualisht ekzitojnë 2 nivele konflikti të ndryshme. Nga njëra anë, lufta po ndodh në rrugët e qyteteve të Ukrainës. Nga ana tjetër, është lufta për të kontrolluar “rrokaqiejt e fshehur” brenda mikroçipave tanë tejet të vegjël.
Me gjithë tragjedinë njerëzore të parës, unë nuk mund të heq dorë nga bindja ime se e ardhmja e rendit botëror do të vendoset pikërisht nga lufta e dytë. Tek e fundit, është kjo e fundit që do të vendosë se çfarë armësh mund të përdoren në betejat që ndodhin në botën njerëzore./gsh/
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...