Ka hyrë në muajin e shtatë lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e cila e ka rrënuar Rripin e Gazës, derisa bisedimet për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve pritet të rifillojnë në Kajro.
Teksa lufta më e përgjakshme në historinë e Gazës i mbushi gjashtë muaj, kritikat e vazhdueshme ndërkombëtare janë duke u rritur ndaj Qeverisë së Izraelit për shkak të fushatës së saj ushtarake.
Për më tepër, Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është duke u përballur edhe me protesta në shtëpi.
Marrdhëniet e Izraelit me aleatin kryesor, Uashingtonin, janë përkeqësuar, derisa Lindja e Mesme druhet për një përgjigje të mundshme nga aleati i Hamasit, Irani, ndaj një sulmi në Ambasadën iraniane në Siri javën e kaluar, për të cilin u fajësua Izraeli.
Izraeli është përballur me stuhi kritikash për vrasjen e shtatë punëtorëve të grupit të bamirësisë me bazë në Shtetet e Bashkuara, Kuzhina Qendrore Botërore, kur ata po shpërndanin ndihma në Gazë më 1 prill.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka kërkuar “armëpushim të menjëhershëm” dhe ka paralajmëruar se mbështetja amerikane për Izraelin varet nga mbrojtja e civilëve dhe përmirësimi i kushteve humanitare.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka kërkuar që “ky konflikt i tmerrshëm të marrë fund”.
Lufta në Gazë nisi kur pjesëtarët e grupit radikal palestinez kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.200 civilë dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë.
Izraeli u përgjigj duke kryer sulmet ajrore dhe tokësore që për pasojë kanë pasur vrasjen e më shumë se 33.000 palestinezëve, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës.
Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.
Gaza është furnizuar vetëm me ndihma sporadike përmes një pikëkalimi tokësor me Egjiptin, hedhjeve të ndihmave nga ajri dhe dërgesave detare – por agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se kjo nuk mjafton për plotësimin e nevojave të palestinezëve.
Izraeli është zotuar, pas trysninë nga SHBA-ja, se do të lejojë për herë të parë futjen e ndihmave përmes pikëkalimit të vet kufitar në veri të Gazës, Erez.
Pas shumë muajve luftime, shumica e spitaleve të Gazës nuk punojnë dhe spitali më i madh, Al-Shifa në Gaza City, është bërë rrafsh me tokën.
Ndërkohë, raportohet se do të ketë një takim në Kajro të Egjiptit të dielën për të biseduar për armëpushim dhe lirim të pengjeve.
Drejtori i CIA-s, Bill Burns, dhe kryeministri i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, do të takohen me zyrtarët egjiptianë për bisedime indirekte nga e diela mes delegacioneve nga Izraeli dhe Hamasi, raportoi televizioni egjiptian Al-Qahera.
Hamasi kërkon që marrëveshja të përfshijë një armëpushim të përhershëm dhe që Izraeli t’i tërheqë forcat nga Gaza.
Izraeli i ka hedhur poshtë këto kërkesa deri tani.
Uashingtoni e fajëson Hamasin për dështimin e bisedimeve deri tani, pasi ky i fundit po refuzon t’i lirojë pengjet e prekur nga sëmundjet.
Zotimi i Iranit për Hakmarrje
Një ndërtesë, për të cilën Irani tha se ishte pjesë e Ambasadës së vet në kryeqytetin sirian Damask, u shkatërrua nga një sulm i dyshuar izraelit më 1 prill.
Shtatë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë dy gjeneralë, u vranë.
Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua për hakmarrje pas sulmit, duke thënë se Izraeli do të “ndëshkohet nga duart e burrave tanë guximtarë”.
CBS News raportoi më 5 prill se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese. Nuk dihet caku e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale, thuhet në raport.
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar të shtunën Iranin të mos i sulmojë trupat dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme./rel
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...
Nga transferimit tek Cluji, humbja e babait deri tek mosftes...
Tavo: Do të japim certifikatat e AMTP-ve dhe legalizimin e s...
Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktua...