Ndalimi kohët e fundit nga Kina i Wu Xiaohuit, kreut të kompanisë gjigande të siguracioneve Anbang, shihet nga disa si një pikë e rëndësishme kthese e luftës së Presidentit kinez Xi Jinping kundër biznesmenëve të pasur të korruptuar, apo të ashtuquajturve “krokodilë të mëdhenj”.
Por këto masa, sipas analistëve, nuk janë pa rreziqe, duke patur parasysh që Wu thuhet se ka mbështetës të fuqishëm politikë dhe miliona klientë.
Deri kohët e fundit, kompania e siguracioneve Anbang ishte duke blerë me shumicë asete në vende të ndryshme të botës. Kompania thotë se ka asete me vlerën e 300 miliardë dollarëve dhe ajo ishte pas disa prej blerejeve më të mëdha nga biznesmenët kinezë vitet e fundit, siç ishte blerja e hotelit Waldorf Astoria në qytetin e Nju Jorkut. Po ashtu kjo kompani është përpjekur të blejë linjën e hoteleve Starwood, ka lidhje me Wall Street-in, si dhe ka lidhje me një marrëveshje të mundshme biznesi që përfshin dhëndërin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Biznesmeni Wu ka lidhje jo vetëm me persona në pushtet dhe me ndikim jashtë vendit, por edhe brenda vendit, që nga zyrtarë të lartë të partisë, e deri tek bankat shtetërore.
Analisti politik Hu Xingdou tha se arrestimi i zotit Wu është një moment i rëndësishëm në luftën e Kinës kundër korrupionit. “Kjo lëvizje nxjerr në pah se sektori financiar i vendit është nën një vëzhgim të hollësishëm për korrupsion. Ndalimi i Wu Xiaohuit, si një figurë simbolike, është një tregues i luftës kundër korrupsionit ndaj brezave me lidhje me komunizimin dhe industrive që ata punojnë”, – thotë analisti Hu.
Biznesmeni Wu nuk i përket medoemos të ashtuquajturit “brez i dytë i familjeve komuniste”- që janë fëmijët e udhëheqësve revolucionarë të Kinës, por ai ishte martuar me mbesën e ish-udhëheqësit Deng Xiaoping. Por kohët e fundit ata janë divorcuar.
Analistët politikë thonë se Wu ka mbështetjen edhe të një personi tjetër të fuqishëm, Zeng Qinghong-ut, i cili ka qenë nënpresident dhe krahu i djathtë i Jiang Zemin-in.
Sektori financiar është më i korruptuari në Kinë, ndërsa është shumë i monopolizuar nga shteti. Kjo, thotë analisti Hu, i krijon kushte njerëzve me lidhje të fuqishme politike, të nxjerrin fitime të mëdha, për shembull në formën e huave me interesa bankare tepër të ulëta.
Analistët thonë se ndalimi i biznesmenit Wu mund të jetë pjesë e një përpjekjeje të sinqertë për pastrimin e sektorit financiar dhe për t’i dërguar një mesazh edhe biznesmenëve të tjerë në këtë industri. Sipas gazetës New York Times, në zbulimin e kohëve të fundit të pasurive të Wu-së, doli se rreth tre të pestat e aseteve të kompanisë së tij Anbang, ishin jashtë vendit. .
Sipas rregullave në Kinë, kompanitë e siguracioneve nuk mund të kenë më tepër se 15 për qind të aseteve të tyre jashtë vendit.
Christopher Balding, profesor në Shkollën e Biznesit në Universitetin e Pekinit, thotë se në Kinë ka edhe biznesmenë të tjerë që kanë shkelur rregulloret sikurse kompania Anbang, por ndaj tyre nuk janë marrë masa. Kjo thotë analisti, tregon se në rastin e masave ndaj pronarit të kësaj kompanie, ka faktorë të tjerë përveç atyre që lidhen me biznesin.
Disa mendojnë se ndalimi i biznesmenit Wu mund të jetë pjesë e një lufte më të gjerë politike.
Kina ka më tepër se 6 muaj që ka filluar të marrë masa ndaj “krokodilëve të mëdhenj”.
Një zhvillim që ka luajtur rol të rëndësishëm, sipas analistit të udhëheqjes kineze Willy Lam, ishte rrëmbimi nga Hong Kongu i Xiao Jianhua-së, i cili njihet për lidhjet me familjet e fuqishme, si ajo e Zeng Qinghong-ut me klanin e vet. Analisti Lam thotë se dihet që Xi Jinping është në luftë për pushtet me klikën e Shangait, ku bëjnë pjesë Jiang Zemin dhe Zeng Qinghong.
“Përveç lidhjeve politike, ndikimi që mund të ketë çështja e Anbang-ut tek shoqëria kineze, është ndoshta edhe më shqetësues. Anbang nuk është thjesht një kompani sigurimesh, por ajo menaxhon pasurinë e shumë njerëzve, që nga shtresa e mesme, fshatare, punëtore dhe intelektuale; trajtimi i gabuar i kësaj kompanie siguracionesh mund të sjellë rreziqe të mëdha. Ata kanë për të zhvilluar demonstrata të fuqishme,“- thotë Lam.
Lu Siqi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Pekinit, thotë se ndërsa është tepër herët të thuhet në se biznesmeni Wu mund të ketë manipuluar tregjet financiare, ose në se mbështetësit e tij politikë janë përfshirë ilegalisht në një farë mënyre në aktivitetet e tij, autoritetet do të duhet marrin masa për të shmangur shkurajimin e investitorëve.
“Në se çështja nuk trajtohet si duhet, 35 milionë persona të siguruar nga kjo kompani, do të pësojnë një goditje të drejtpërdrejtë. Dhe qeveria mund të detyrohet të ndërhyjë me një plan shpëtimi, për të cilin në fakt do të paguajnë taksapaguesit”, – thotë profesori i ekonomisë, Lu Siqi.
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...