Më shumë se 300,000 demonstrues pro-palestinezë marshuan në qendër të Londrës të shtunën. Policia arrestoi afro 100 kundër-protestues të ekstremit të djathtë në përpjekje për të ndaluar një konfrontim me palën tjetër.
Përleshjet shpërthyen midis policisë dhe grupeve të ekstremit të djathtë të mbledhur për të protestuar kundër demonstratës që po zhvillohet në Ditën e Armëpushimit, që shënon përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ditë kur Britania përkujton të rënët në luftë.
Kryeministri Rishi Sunak e dënoi dhunën pranë memorialit të luftës “Cenotaph” dhe gjithashtu sulmoi “simpatizantët e Hamasit” të cilët iu bashkuan tubimit më të madh, “duke kënduar këngë antisemitike dhe duke tundur pankarta dhe veshje pro-Hamasit në protestën e sotme”.
Tensionet ishin rritur përpara marshimit të së shtunës, më i madhi në një seri tubimesh në mbështetje të palestinezëve me thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, i ka cilësuar tubimet si “marshime urrejtjeje” të udhëhequra nga “turma”.
Policia Metropolitane e Londrës i kishte refuzuar kërkesat e ministrisë për të anuluar lejen e tubimit, me pretekstin se nuk kishte të dhëna se do të kishte dhunë serioze. Një vendim që ka tendosur marrëdhëniet me qeverinë. Kryeministri Sunak bëri thirrje përsëri për një qëndrim më të ashpër.
“Të gjitha veprimet kriminale duhet të përballen me forcën e plotë dhe të shpejtë të ligjit”, tha ai në një deklaratë të shtunën vonë. “Kjo është ajo që i thashë Komisionerit të Policisë Metropolitane të mërkurën, ata mbajnë përgjegjësi për këtë dhe kjo është ajo që pres”.
Policia tha se në rrugët qendrore të Londrës kishte pasur disa qindra kundër-protestues dhe përleshjet shpërthyen afër memorialit të luftës.
Ndihmës Komisioneri, Matt Twist, tha në mediat sociale se dukej se kundërprotestuesit “synonin për konfrontim dhe dhunë”.
Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, dhe Ministri i Parë i Skocisë, Humza Yousaf, thanë se zonja Braverman i kishte ndezur tensionet dhe e kishte trimëruar të djathtën ekstreme duke akuzuar para tubimit policinë për favorizimin e “turmave pro-palestineze”./voa
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...