Londër, fillon takimi i presidentit Erdoğan me liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë

17:54 | 3 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Në Londër ka filluar takimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi, i cili mbahet para samitit të NATO-s në rezidencën e kryeministrit britanik në “10 Downing Street”, ka filluar në orën 3 pasdite dhe pritet të zgjasë pak më shumë se një orë.

Duke iu referuar operacionit kundër-terrorist të Turqisë në Sirinë veriore, më herët presidenti Erdoğan tha se “në takim do të vlerësohen zhvillimet në lidhje me operacionin tonë ‘Burimi i Paqes’ ”.

“Meqenëse këto vende janë mes forcave të koalicionit, ne do të diskutojmë se në çfarë mase ata i kanë përmbushur detyrat e tyre në kuadër të këtij koalicioni dhe si ata mund të mbështesin planet dhe projektet që kemi përgatitur”, tha Erdoğan.

Presidenti turk theksoi se po ashtu do të dëgjojnë pritjet e tyre dhe shprehu shpresë që takimin ta përfundojnë me “mirëbesim”.

Turqia më 9 tetori nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga Siria veriore në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të sigurojë integritetin territorial të Sirisë.

Sipas dy marrëveshjeve të ndara me SHBA-të dhe Rusinë, Turqia pauzoi operacionin për të lejuar tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e Sirisë.

Ankaraja synon që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt për t’i hapur rrugën kthimit të sigurt të 2 milionë refugjatëve sirianë.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje.

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, presidenti Erdoğan në mbrëmje po ashtu do të marrë pjesë në dy pritje të ndara ku do të takojë liderët e NATO-s. Pritjet do të mbahen në Pallatin Buckingham nga Mbretëresah Elizabeth dhe më vonë në “10 Downing Street” nga kryeministri Johnson.

Të ngjashme