Çmimet e larta të naftës, shmangia e sanksioneve dhe investimet shtetërore i mundësojnë Rusisë që të ketë burime të mjaftueshme që të luftojë në Ukrainë me intensitetin aktual edhe të paktën dy vjet, u tha në një raport të agjencive të inteligjencës të Lituanisë.
Rusia reformoi dhe forcojë ushtrinë e saj të shkatërruar nga lufta në Ukrainë më 2023 dhe është në rrugën e duhur që të zgjerojë aftësitë ushtarake përgjatë kufirit të saj me NATO-n, përfshirë edhe Finlandën – që iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore vitin e kaluar – thanë agjencitë e inteligjencës në vlerësimin e tyre vjetor lidhur me kërcënimet që përballet shteti baltik.
“Moska është e aftë të bëjë vlerësimin e mësimeve të nxjerra dhe të përmirësojë efektivitetin e saj luftarak”, thanë agjencitë lituaneze në raportin e publikuar mëngjesin e 7 marsit.
Raporti është përpiluar nga dy agjenci: Departamenti i Sigurimit Shtetëror i Kundërzbulimit dhe Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të Ushtrisë, që janë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka forcuar forcat e saj ushtarake në veri dhe perëndim të Rusisë në përgjigje të një grumbullimi të perceptuar të forcave të NATO-s në kufijtë e Rusisë.
Lituania, shtet fqinj me Rusinë dhe aleaten e saj Bjellorusinë që dikur sundohej nga Moska, është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Agjencitë e inteligjencës shkruan në raport se inteligjenca ruse po drejton përpjekjet për shmangien e sanksioneve që u vendosën ndaj industrisë ruse të mbrojtjes pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022.
Përderisa Rusia haptazi furnizohet me armë dhe municione vetëm nga Irani dhe Koreja e Veriut, Kina është bërë furnizuesja më e madhe e Rusisë për mikroçipe dhe huani është bërë monedha kryesore për transaksionet ndërkombëtare të Rusisë, thanë agjencitë e Lituanisë.
Ato shtuan se që kur Rusia vendosi koka bërthamore në Bjellorusi më 2023 ka ndërtuar në këtë shtet edhe infrastrukturë për përdorimin e këtyre armëve.
Raporti tha se agjencitë e inteligjencës së Rusisë dhe Bjellorusisë kanë rritur përpjekjet e tyre për të rekrutuar lituanezë që kalojnë kufirin dhe Lituania ka arrestuar dhjetëra shtetas të saj më 2023, të cilët i ka akuzuar se u kanë ofruar të dhëna inteligjencës bjelloruse në këmbim të parave.
Sa i përket Kinës, agjencitë thanë se Pekini rriti përpjekjet e tij të spiunimit në Lituani më 2023, pas vendimit të Lituanisë që të lejojë Tajvanin të hapë një ambasadë de facto në tokën lituaneze më 2021.
Në raportin e inteligjencës lituaneze u tha se aktorët kibernetikë “të lidhur me Kinën” u gjetën se rregullisht hetojnë institucionet qeveritare të Lituanisë duke tentuar të gjejnë dobësi në to “me qëllim që të hyjnë në sistemet e tyre dhe të vjedhin të dhëna”./rel/
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...