Sllovenia është një vend i njohur për bukuritë e saj natyrore, ndërsa në mesin e destinacioneve më të famshme turistike është Liqeni i Bledit, i cili është një gërshetim i natyrës dhe historisë, duke e bërë këtë lokacion një atraksion të vërtetë për turistët jo vetëm nga rajoni i Ballkanit, por edhe nga Evropa dhe më gjerë.
Liqeni i Bledit ndodhet në Alpet Juliane në pjesën veriperëndimore të Sllovenisë, në kuadër të komunës Bled. Vendi ndodhet 55 kilometra nga kryeqyteti i Sllovenisë, Lubjana.
Sipas të dhënave të njohura, Liqeni i Bledit është i gjatë 2.120 metra, i gjerë 1.380 metra dhe ka thellësi maksimale prej 30,6 metrash. Liqeni është përplot me bukuri natyrore, i rrethuar me male dhe pyje.
Shëtitja me varkë është një nga atraksionet e para për vizitorët në Bled, të cilët kështu mund të arrijnë në ishullin e vetëm natyror në Slloveni. Ishulli ndodhet në mes të Liqenit të Bledit. Në këtë ishull ndodhet një kishë e ndërtuar në shekullin XV.
Një nga pikat më atraktive në Bled është Kalaja e Bledit, e vendosur në bregun verior të liqenit. Kalaja ndodhet 130 metra mbi Liqenin e Bledit. Në mbishkrimet në Kalanë e Bledit mund të vërehet se sipas burimeve të shkruara historike, kjo kështjellë daton nga shekulli X dhe është kështjella më e lartë dhe më e vjetër në Slloveni.
Nga këtu, vizitorët mund të shijojnë një pamje të mrekullueshme të liqenit dhe zonës përreth, ndërsa turistët e shumtë nuk humbasin mundësinë për t’u fotografuar në këtë vend atraktiv.
Bledi është një destinacion tërheqës për të gjithë ata vizitorë që janë të interesuar për shëtitje të gjata, çiklizëm, eksplorimin e kulturës dhe bukurive natyrore.
Mjellmat e bardha i japin bukuri të veçantë liqenit, të cilat tërheqin vëmendjen e vizitorëve me pamjen e tyre të bukur.
Ajo që gjithashtu e bën të veçantë qytetin dhe liqenin e Bledit është se në të katër stinët, vizitorëve u ofrohen mundësi të ndryshme për t’i provuar.
Gjatë dimrit, në afërsi të Liqenit të Bledit ndodhet një shëtitore ku është ndërtuar një pazar për festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjet, ku mund të blihen prodhime artizanale të ndryshme të punuara nga vendasit.
Ndër atraksionet e tjera në Bled bëjnë pjesë edhe muzikantët e rinj në rrugë, të cilët me këngë dhe valle tradicionale sllovene në njëfarë mënyre promovojnë kulturën e Sllovenisë.
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...
Dëmtohet kablloja elektrike nënujore që lidh Finlandën dhe E...
Pritjet në piken kufitare te Dheu i Bardhë mbi gjysmë ore
Presidenti i FFK-së takohet me kryetarin e Gjilanit, diskuto...
Kurti e Vitia nesër marrin pjesë në ceremoninë e vënies së g...