Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë të përgatitura për fushatat e dezinformimit dhe sulmeve kibernetike që pritet të godasin vendin përpara zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, tha një ligjvënës i lartë amerikan.
Kryetari i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit, Mark Warner tha në një konferencë për sigurinë kibernetike në Uashington se pavarësisht përpjekjeve të agjencive të ndryshme qeveritare të Shteteve të Bashkuara për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet në zgjedhje, ka ende boshllëqe, veçanërisht kur bëhet fjalë për fushatat e ndikimit të huaj.
“Unë jam i shqetësuara se ne jemi më pak të përgatitur për ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet tona në 2024 sesa ishim në 2020”, tha ai në Samitin e Sigurisë Kibernetike të organizuar nga kompania Trellix.
Ai shtoi se përhapja e inteligjencës artificiale gjithashtu mund t’i bëjë përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 të duken “si lojë fëmijësh”.
Zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit dhe sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht besimin në aftësinë e tyre për të mbrojtur infrastrukturën zgjedhore nga sulmet nga çdo vend armik.
“Amerikanët mund të kenë besim në sistemin tonë zgjedhor dhe demokracinë tonë”, u tha ligjvënësve drejtori i FBI-së Christopher Wray muajin e kaluar, i mbështetur nga drejtuesit e Agjencisë amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.
Por zyrtarët kanë shprehur shqetësimin për operacionet e ndikimit keqdashës, veçanërisht nga Rusia, Kina dhe Irani, që kanë për qëllim të shfrytëzojnë ndasitë e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara.
Senatori Warner tha të martën se ai beson se pikërisht ndasitë politike janë pika ku mbrojtja Uashingtonit është më e dobët, duke përmendur një vendim gjykate që ka ndaluar kompanitë e mediave sociale të ndajnë informacione rreth operacioneve të mundshme të ndikimit të huaj me FBI-në dhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike.
“Kjo duhet të na trembë të gjithëve”, tha ai, duke shtuar se rreziku për mashtrim ndaj votuesve mund të jetë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
“Fatkeqësisht, ne kemi shumë më tepër amerikanë në vitin 2024, që janë më të gatshëm të mos besojnë ose të kenë më pak besim në sistemin tonë”, tha senatori Warner.
Paralajmërimi i senatorit Warner për ndërhyrjen ruse në zgjedhje i bëri jehonë komenteve të këshilltarit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ka shumë arsye për t’u shqetësuar”, tha zoti Sullivan në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të kanalit “NBC” të dielën. “Kemi një histori të ndërhyrjeve në zgjedhjet presidenciale nga Federata Ruse, nga shërbimet e saj të zbulimt.”
Këto shqetësime, megjithatë, kanë zemëruar disa ligjvënës dhe aktivistë konservatorë, të cilët argumentojnë se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ringjallë teorinë, e mbështetur nga shumë demokratë, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA për të ndihmuar ish-presidentin Donald Trump.
Senatori Warner, duke folur me gazetarët, hodhi poshtë argumente të tilla.
“Do të doja t’i pyesja ata që nuk mendojnë se shërbimet ruse të zbulimit nuk kanë ndërhyrë dhe nuk do të vazhdojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet tona se ku po i marrin këto informacione”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
Në një raport të deklasifikuar të zbulimit për zgjedhjet e vitit 2022 në Shtetet e Bashkuara, të publikuar në fund të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Zbulimit vlerësoi me besueshmëri të lartë se Rusia, së bashku me Kinën dhe Iranin, drejtuan operacione që synonin të ndikonin në rezultatet e zgjedhjeve.
“Qeveria ruse dhe përfaqësuesit e saj u përpoqën të denigronin Partinë Demokrate përpara zgjedhjeve të vitit 2022, që përkuan me mesin e mandatit të Presidentit, dhe të minonin besimin në zgjedhje, me shumë gjasa për të minuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën”, thuhet në raport.
Kina vuri në shënjestër “një numër garash për Kongresin, që përfshinin kandidatë nga të dyja partitë politike në Shtetet e Bashkuara”, thuhet më tej në këtë raport.
Rusia dhe Kina i kanë mohuar më parë akuzat për operacione të ndikimit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara./voa/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...