Lideri turk: Turqia gjatë 15 viteve arriti sukses historik në luftën kundër terrorizmit

21:25 | 7 Nëntor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se Turqia gjatë një dekade e gjysmë arriti sukses më të madh në luftën kundër personave dhe subjekteve që cenojnë rendin dhe paqen në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia në kohën tonë (AK Partisë) arriti suksesin më të madh në historinë e saj kur është fjala për luftën kundër organizatave terroriste, bandave, trafikantëve të drogës dhe të tjerëve që prishin rendin dhe paqen”, tha Erdoğan në një takim të grupit parlamentar të partisë së tij në Ankara.

Erdoğan theksoi se forcat turke të sigurisë në periudhën prej korrikut të vitit 2016 kanë neutralizuar 9.353 terroristë.

“Nga korriku i vitit 2016 në operacionet e zbatuara brenda vendit janë neutralizuar 761 terroristë, në veri të Irakut 1.092, gjatë ofensivës ‘Mburoja e Eufratit’ rreth 3.000 ndërsa në operacionin ‘Dega e Ullirit’ janë neutralizuar të paktën 4.500 terroristë”, tha Erdoğan.

Në vitin 2016, Turqia nisi operacionin antiterrorist “Mburoja e Eufratit”, i mbështetur nga Ushtria e Lirë Siriane, duke çliruar pjesë të mëdha të Sirisë veriperëndimore nga grupet terroriste.

Ndërkaq, më 20 janar, forcat turke filluan operacionin “Dega e Ullirit”, për të pastruar qytetin sirian Afrin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it. Më 18 mars, trupat turke dhe Ushtria e Lirë Siriane çliruan qendrën e qytetit të Afrinit.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e saj siriane.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, Erdoğan theksoi se patrulla amerikane së bashku me organizatën terroriste YPG/PKK në Siri është e papranueshme.

Këto komente të presidentit të Turqisë erdhën pasi më herët, zëdhënësi i Pentagonit, Rob Manning, deklaroi se të premten ushtria amerikane ka zhvilluar patrulla “të sigurisë” me YPG/PKK-në përgjatë kufirit verilindor të Sirisë.

“Nuk i konsiderojmë të drejta sanksionet ndaj Iranit”

Presidenti turk foli edhe mbi sanksionet amerikane ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si të padrejta.

“Nuk i konsiderojmë të drejta sanksionet, sepse, sipas nesh, ato synojnë prishjen e ekuilibrit të botës. Ato janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ne nuk duam të jetojmë në një botë imperialiste”, deklaroi Erdoğan pas takimit.

Pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 8 maj, Departamenti i Thesarit njoftoi se do të rikthejë sanksionet ndaj Iranit në dy faza, 90 dhe 180-ditore.

Sanksionet e para pas 90 ditëve nga tërheqja hynë në fuqi më 7 gusht ndërsa pjesa e dytë filloi nga dita e djeshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme