“Liderët iranianë mund të telefonojnë drejtpërdrejt Trumpin për bisedime”

16:03 | 11 Maj 2019
Arbresh.info

Pas thirrjes “më telefononi” të presidentit të SHBA-ve Donald Trump ndaj liderëve iranianë, Shtëpia e Bardhë në mënyrë që Teherani të lidhet drejtpërdrejt me Trumpin u ka dhënë një numër telefoni zyrtarëve zviceranë që ndërmjetësojnë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimit diplomatik që ka informuar televizionin amerikan CNN, mësohet se Shtëpia e Bardhë të enjten ka ndarë një numër telefoni me zyrtarët zviceranë që liderët e Iranit të mund të telefonojnë drejtpërdrejt presidentin Trump.

Burimi diplomatik ka thënë se mundësia është e lartë që iranianët të qëndrojnë indiferentë ndaj kësaj iniciative të papritshme të Shtëpisë së Bardhë dhe se Zvicra mund të mos ia përcjellë Iranit numrin për sa kohë që nuk e kërkojnë posaçërisht.

– Propozimi për bisedime refuzohet nga Garda Revolucionare

Trump në një deklaratë të bërë të enjten në Shtëpinë e Bardhë i bëri thirrje qeverisë së Iranit që të braktisë programin bërthamor. Duke marrë parasysh tensionet e larta midis dy vendeve ai dha mesazhin se e sheh si të mundshëm edhe konfliktin ushtarak.

“Ajo që duhet të bëjnë është kjo: Të më telefonojnë mua, të ulemi të bisedojmë dhe të arrijmë marrëveshje të drejtë. Nuk dëshirojmë që ata të posedojnë armë bërthamore; nuk është shumë ajo që kërkojmë. Kjo mund t’i risjellë ata në një pozicion të mirë. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm Iranit”, ka thënë Trump i cili ka bërë të ditur se ekonomia e Iranit është përkeqësuar shumë pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore.

Ndërkohë zëvendës ndihmësi politik i komandantit të Gardës Revolucionare të Iranit, Yedullah Cevani në lidhje me mesazhet kërcënuese dhe diplomatike të Trumpit ishte përgjigjur se “Me Amerikën nuk do të ketë negociata dhe amerikanët nuk do të kenë guximin për një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme