Liderët e Koresë së Jugut, Kinës dhe Japonisë takohen javën e ardhshme

08:54 | 23 Maj 2024
K.B

Liderët e Koresë së Jugut, Kinës dhe Japonisë do të takohen javën e ardhshme në Seul, për herë të parë për bisedime trepalëshe pas më shumë se katër vjetëve, njoftoi të enjten Presidenca jugkoreane.

Takimi trepalësh mes presidentit jugkorean Yoon Suk Yeol, kryeministrit kinez Li Qiang, dhe kryeministrit japonez Fumio Kishida, do të mbahet të hënën në Seul, tha zyra e Yoonit.

Tre liderët do të mbajnë takime dypalëshe mes vete të dielën, sipas njoftimit.

Këto tre vende aziatike e mbajtën samitin e parë trepalësh më 2008, dhe ishin pajtuar asokohe që ky të ishte samit vjetor mes liderëve. Por, samiti u pezullua në vitin 2019, kur ata u takuan për herë të fundit në Kinë.

Përpjekjet e fqinjëve aziatikë për ta rritur bashkëpunimin në mes vete ka hasur në pengesa shpesh, për shkak të një sërë çështjesh, përfshirë mosmarrëveshjeve historike që burojnë nga agresionit i Japonisë gjatë kohës së luftës dhe gara strategjike mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Japonisë u përkeqësuan rëndë për shkak të çështjeve që shkaktoi kolonizimi i Gadishullit Korean nga Japonia mes viteve 1910-1945.

Por, marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan dukshëm prej vitit 2023, kur ato ndërmorën një sërë hapash të mëdhenj për ta lënë mbrapa atë histori dhe për ta forcuar bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta, përfshirë programin e avancuar bërthamor i Koresë së Veriut.

Arsenali në rritje bërthamor i Koresë së Veriut përbën kërcënim të madh për sigurinë e Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Por Kina, aleati i vetëm i madh i Koresë së Veriut dhe furnizuesi më i madh më ndihma, dyshohet se po e shmang zbatimin e plotë të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut dhe se po e ndihmon fshehurazi fqinjin e vet të varfër për të mbijetuar. Kina dyshohet gjithashtu se shërben si mburojë kundër ndikimit amerikan në Gadishullin Korean./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme