Liderët e BE-së sërish do ta takojnë presidentin Erdoğan

21:20 | 4 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë sërish do të takohen me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm për të diskutuar Sirinë, Libinë dhe tema të tjera, tha presidenti francez Emmanuel Macron, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media sot pas përfundimit të samitit të NATO-s në Londër, Macron tha se nuk kanë konsensus me Turqinë për sa i përket përkufizimit të terrorizmit.

Ai shtoi se i jep rëndësi mbrojtjes së Evropës, por shtoi se ajo nuk është alternativë e NATO-s.

“Stabiliteti dhe siguria e Evropës mund të garantohet vetëm duke ndërtuar një raport solid me Rusinë”, tha Macron, duke theksuar se Rusia tashmë nuk është armik i NATO-s.

Ai theksoi nevojën e forcimit të dialogut për Sirinë veriore në mënyrë që të pamundësohet rimëkëmbja e organizatës terroriste DEASH.

“Në korniza të respektit ndaj sigurisë së Turqisë dhe çmimit që ka paguar nga terrorizmi, si dhe raporteve tona si aleatë, duhet forcuar dialogun për Sirinë veriore në mënyrë që të pamundësohet rimëkëmbja e DEASH-it. Në këtë aspekt, kishte mungesë dialogu dhe respekti midis aleatëve”, deklaroi Macron.

“Ne vendosëm ta vazhdojmë dialogun me Turqinë si vende E3 në lidhje me Sirinë, Libinë dhe çështje të tjera”, tha Macron, duke folur për takimin e djeshëm katërpalësh me Turqinë, Britaninë dhe Gjermaninë në margjina të samitit të NATO-s.

“Me gjasë, do të takojmë sërish Turqinë në tre muajt e parë të vitit 2020”, tha Macron.

Ai deklaroi se ka çështje për të cilat nuk pajtohen me Turqinë, por tha se dialogu duhet vazhduar.

Ndryshe, dje në Londër u mbajt një takim katërpalësh në të cilën morën pjesë presidenti turk Erdoğan, presidenti francez Macron, kryeministri britanik Boris Johnson dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme