Dhjetëra liderë botërorë të mbledhur në Zvicër shpresojnë se do të arrijnë pajtim për ta dënuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, në ditën e dytë dhe të fundit të samitit për paqe më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina.
Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.
Duke folur në samitin që po mbahet në resortin Burgenstok më 15 qershor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “ne kemi arritur sukses në rikthimin e idesë se përpjekjet e përbashkëta mund ta ndalin luftën dhe të sjellin paqen”.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë samit është edhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në këtë samit, gjithashtu.
Me këtë samit, Zelensky po kërkon që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska.
Samiti i 15-16 qershorit është kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Zvicra u pajtua të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.
Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.
Pas takimit më 16 qershor, delegatët do të debatojnë dhe do të pajtohen për një deklaratë përfundimtare të samitit, e cila pritet të përqendrohet në tri çështje: thirrjen për nevojën për siguri bërthamore dhe ushqimore, kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve të larguar nga Ukraina gjatë luftës.
Ihor Zhovka, zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, tha për gazetarë se Kievi ka vendosur të përqendrohet në këto tri çështje “sepse shumica e bashkësisë ndërkombëtare pajtohet me këto tri qëndrime sot”.
Një draft i dokumentit, i parë nga Reuters, i referohet pushtimit rus të Ukrainës si “luftë” – një term që Moska e kundërshton – si dhe bën thirrje që Ukraina ta ketë kontrollin në centralin bërthamor Zaporizhja, si dhe t’i kthehen asaj portet në Detin Azov.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të REL-it, Andriy Yermak, shefi i administratës së Zelenskyt, tha për gazetarë më 165 qershor se ky dokument do t’i dërgohet përfaqësuesve rusë të ftuar në samitin e radhës.
Në samitin për paqe më 16 qershor pritet të vendoset se kush do të jetë vendi nikoqir i konferencës së ardhmes.
Besohet se Arabia Saudite është njëra prej kandidateve kryesore. Ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud tha më 15 qershor se mbretëria është e gatshme për të ndihmuar në procesin e paqes, por paralajmëroi se zgjidhja afatgjate varet nga “kompromiset e vështira”.
Kina, e cila e mbështet Rusinë, iu bashkua dhjetëra vendeve të tjera që munguan. Pekini ka thënë se është e nevojshme që në procesin e paqes të marrin pjesë edhe Rusia, edhe Ukraina.
Më 15 qershor, në ditën e parë të samitit, shumë liderë perëndimorë e dënuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke e cituar kartën e OKB-së për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, dhe duke i hedhur poshtë kërkesat e Putinit për të hequr dorë nga toka për paqe.
“Një gjë është e qartë në këtë konflikt: E kemi një agresor, ai është Putini, dhe e kemi një viktimë, pra populli ukrainas”, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
“Rusia duhet ta kuptojë se ka kufij, siç çdo shtet tjetër, dhe ka edhe fqinj, si cdo shtet tjetër. Kjo bashkësi ndërkombëtare, arkitektura e re e sigurisë, mund të ekzistojë vetëm kur vendet e mëdha, më të mëdhatë, i njohin fqinjët e vet, i respektojnë ata dhe integritetin e tyre territorial”, tha presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.
Harris tha se propozimin e Putinit për paqe nuk ishte thirrje për bisedime, por thirrje “që Ukraina të dorëzohet”.
Ajo e përsëriti mbështetjet e plotë të SHBA-së për Ukrainën dhe njoftoi për një pako të re të ndihmës amerikane prej 1.5 miliard dollarësh për projekte të shumta, përfshirë për infrastrukturën e energjisë dhe sigurinë e civilëve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se “paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Rusisë”, por nënvizoi se Rusia i ka hedhur poshtë të gjitha thirrjet e përbashkët për paqe.
Para samitit, Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.
Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.
Biden, i cili nuk po merr pjesë në samitin për paqe në Zvicër me gjithë lutjet nga Zelensky, tha se SHBA-ja do t’ia dërgojë Ukrainës edhe një sistem kundërajror Patriot.
Së fundi, SHBA-ja i dha leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...