Letra e profetit Muhamed drejtuar murgjve të krishterë

11:01 | 23 Nëntor 2015
Arbresh.info

Sipas traditës së murgjve të krishterë të manastirit ‘Shën Katerina’ në Sinai, profeti Muhamed shpesh e vizitonte manastirin dhe zhvillonte biseda me klerikët e krishterë.
Ky dokument është shkruar më vitin 626, ndërsa përbëhet nga disa dispozita rreth termeve të lidhura të jetës së krishterëve nën udhëheqjen islame dhe mban vulën e njohur të pejgamberit.

Sulltan Selimi i parë, letrën origjinale e dërgoi në Stamboll më vitin 1517, ku edhe sot ruhet në muzeun ‘Topkapi’, kurse me kërkesë të murgjve është bërë edhe kopja e saj dhe është vendosur në manastir. Përmbajtja e letrës është me sa vijon:

“Kjo është nga pejgamberi Muhamed, Ibën Abdullah si testament për ata që janë të krishterë qoftë në afërsi ose largësi.

Ne fuqishëm qëndrojmë pranë tyre. Me të vërtetë unë, shërbëtorët, ndihmësit dhe pasuesit e mi, do t’i mbrojmë, sepse krishterët janë qytetarët e mi dhe pasha Allahun do t’i kundërvihem çdo gjëje që ua prishë rehatinë.

Kundrejt tyre nuk guxon të ushtrohet dhunë. Gjykatësit e tyre nuk guxon të përjashtohen prej pune.

As murgjit s’guxon të dëbohen prej manastireve të tyre. Askush nuk guxon t’i rrënojë shtëpitë e fesë së tyre (kishat), e as t’i dëmtojë ato, ose të marrë (grabis diçka) prej tyre e të dërgojë në shtëpi të myslimanit.

Po që se dikush merr ndonjë gjë prej tyre, atëherë ai konsiderohet se ka shkelur testamentin e Zotit dhe ka treguar pa dëgjueshmëri ndaj Pejgamberit të tij.

Vërtet ata janë aleatët e mi dhe kanë mbrojtjen time kundër asaj që urrejnë. Askush nuk guxon që t’ua imponojë udhëtimin ose shkuarjen në luftë.

Myslimanët duhet të luftojnë për ta. Nëse myslimani dëshiron ta marrë për grua një të krishtere, martesa nuk guxon të ndodhë pa pëlqimin e krishterës, e as e krishtera s’guxon të pengohet nga burri mysliman që të mos e vizitojë kishën për t’u lutur.

Kishat e tyre duhet patjetër të respektohen, rindërtimet e tyre s’guxon të pengohen, e as të ndalohen gjërat e shenjta të shkrimeve të tyre.

Askush prej myslimanëve nuk guxon të tregojë pa dëgjueshmëri ndaj këtij testament gjer në Ditën e Kiametit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme