Një gjykatës në Venezuelë ka lëshuar një fletarrestim për ish-kandidatin e opozitës për president, Edmundo Gonzalez. Fletarrestimi është pjesë e një hetimi lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në korrik, që partia në pushtet, por edhe opozita, pretendojnë se i kanë fituar.
Fletarrestimi u lëshua me kërkesë të autoriteteve, të cilat e akuzojnë Gonzalezin, ish-diplomat, për një sërë akuzash përfshirë për konspiracion, falsifikim të dokumenteve dhe uzurpim të pushtetit. Kjo lëvizje është e fundit në mesin e masave shtypëse kundër opozitës, pasi një muaj më parë zyrtarët zgjedhorë e shpallën presidentin Nicolas Maduro, fitues të zgjedhjeve presidenciale, duke i dhënë mandatin e tretë gjashtëvjeçar.
Autoritetet thanë se lëshuan fletarrestimin pasi Gonzalez dështoi që tri herë të paraqitej për marrje në pyetje nga prokurorët. Gonzalez, 75 vjeç, nuk ka bërë asnjë paraqitje publike që nga dita kur u mbajtën zgjedhjet.
Ekipi i fushatë së tij ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje.
Autoritetet zgjedhore, besnike të presidentit, e shpallën Maduron fitues të zgjedhjeve disa orë pasi u mbyllën vendvotimet më 28 korrik. Por, zyrtarët zgjedhorë nuk kanë publikuar të dhënat për secilën vendvotim, siç kishin bërë në të kaluarën. Këshilli Kombëtar Zgjedhor ka pretenduar se nuk ka publikuar informacione të detajuara sepse ueb-faqja e tij është hakuar.
Sipas ligjit, çdo parti pjesëmarrëse në zgjedhje ka të drejtë të marrë informacione për çdo kuti votimi. Mbështetësit e Qeverisë kanë tentuar të bllokojnë përfaqësuesit opozitarë nga posedimi i kopjeve të votave për secilin vendvotim, por opozita ka arritur të marrë dokumentet për më shumë se 80 për qind nga kutitë e votimit.
Gonzalez dhe liderja opozitare, María Corina Machado, befasuan mbështetësit dhe kundërshtarët e tyre kur njoftuan se dokumentet tregonin se Maduro kishte humbur zgjedhjet me një diferencë të madhe ndaj ish-diplomatit. Ata i kanë publikuar këto të dhëna në internet.
Teksa është rritur presioni ndërkombëtar për publikimin e rezultateve të detajuara, Maduro i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të Venezuelës që të hetojë procesin zgjedhor, duke nxitur kritika nga vëzhguesit e huaj, të cilët kanë thënë se kjo gjykatë është shumë e afërt me Qeverinë dhe nuk mund të kryejë një hetim të pavarur.
Gjykata tha më 22 gusht se dokumentet lidhur me votat, që u publikuan nga opozita, ishin false dhe certifikoi fitoren e Maduros.
Mungesa e transparencës dhe arrestimet e protestuesve kundër opozitës në ditët pas zgjedhjeve, kanë nxitur dënime nga e mbarë bota ndaj Maduros dhe aleatëve të tij. Në mesin e të arrestuarve janë udhëheqës opozitarë, gazetarë, punëtorë të kompanive të sondazheve e të tjerë./rel/
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...