Një pjesë e personelit të ushtrisë amerikane është plagosur në një sulm me raketa në një bazë ajrore në perëndim të Irakut.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, ka thënë se milici të mbështetura prej Iranit e kanë shënjestruar bazën ajrore Al Asad – ku strehohen trupat ushtarake amerikane – me raketa balistike, në mbrëmjen e së shtunës.
Nuk është specifikuar numri i personelit amerikan që janë duke u vlerësuar nëse kanë përjetuar lëndime traumatike në tru.
Të paktën një pjesëtar i forcave irakiane është plagosur në sulm.
Përgjegjësinë për sulmin në këtë bazë e ka marrë grupi që e quan vetëm Rezistenca Islamike në Irak.
Sipas Institutit të Uashingtonit për Politika në Lindje të Afërt, me bazë në Shtetet e Bashkuara, grupi është krijuar në fund të vitit 2023 dhe përbëhet prej shumë grupeve të armatosura, që janë të lidhura me Iranin, por veprojnë në Irak.
Ky grup e ka marrë përgjegjësinë edhe për sulme tjera kundër forcave amerikane në javët e fundit.
Ushtria amerikane ka thënë se pjesa më e madhe e raketave të nisura të shtunën, janë parandaluar, mirëpo disa i janë shmangur mbrojtjes ajrore dhe e kanë sulmuar bazën.
Ky është vetëm një prej sulmeve të fundit kundër pozicioneve amerikane në Irak dhe Siri nga mbështetësit e Iranit në rajon, prej kur ka shpërthyer lufta Izrael-Hamas, në tetor të vitit të kaluar.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ushtria amerikane dhe aleatët kanë intervenuar edhe për t’i parandaluar sulmet me raketa të rebelëve Huthi në anijet komerciale ndërkombëtare në Detin e Kuq.
Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet e tyre janë solidarizim me palestinezët në Gaza që po përballen me ofensivën izraelite.
Pas sulmeve të Hamasit në Izrael – duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje – ushtria izraelite ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.
Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë rreth 25.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./rel
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...