Google ADS

Lavrov: Rusia, Turqia dhe Irani do të mbajnë samit mbi Sirinë

20:48 | 16 Qershor 2020
Arbresh.info

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka bërë ditur se Ankara, Moska dhe Teherani u pajtuan të mbajnë një video-konferencë dhe më pas edhe një takim ballë për ballë për zgjidhjen siriane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif, ministri Lavrov tha se presidentët e tre vendeve në një video-konferencë do të diskutojnë çështjen siriane dhe më pas do të mbajnë një samit në Teheran.

“Sot, ne konfirmuam marrëveshjen e tre presidentëve të vendeve, atë të formatit Astana, se samiti do të mbahet në Teheran brenda afateve që do të përcaktohen duke marrë parasysh situatën që po zhvillohet për shkak të koronavirusit. Ne mbështetëm propozimin për të mbajtur një video-konferencë para takimit ballë për ballë të tre liderëve. Ne do të biem dakord për kushtet e kësaj video-konference mjaft shpejt dhe pastaj do t’i shpallim ato”, tha Lavrov.

Sipas Lavrov-it, video-konferenca me gjasë do të mbahet para një mbledhjeje të komitetit kushtetues sirian.

Ndërkaq, ministri Zarif tha se shpreson që video-konferenca të mbahet deri në muajin gusht.

Siria ka qenë e mbyllur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Irani mbështet përpjekjet ruse dhe turke në Libi

I pyetur lidhur me qëndrimin e Iranit mbi situatën në Libi, Zarif tha se Teherani mbështet përpjekjet ruse dhe turke në vend që synojnë t’i japin fund konfliktit.

“Ne mbështesim përpjekjet që Rusia dhe Turqia po bëjnë për t’i dhënë fund konfliktit në Libi dhe shpresojmë se qeveria legjitime në Libi do të jetë në gjendje të sjellë rehatinë për popullin libian”, tha Zarif.

Nga ana e tij, Lavrov tha se qasja e Rusisë ndaj konfliktit sirian mund të zbatohet në Libi, pasi tipari i saj kryesor është të nxisë palët në konflikt të zhvillojnë bisedime dhe të sigurojnë kushtet e nevojshme në mënyrë që ata të mund të gjejnë një bazë të përbashkët.

“E vetmja gjë që mbetet është t’i bindim partitë libiane se ata duhet të ulen në tryezë dhe të fillojnë negociatat. Tani jemi duke punuar për këtë”, tha Lavrov.

Libia është kapluar nga një luftë civile që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re libiane u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB), por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat e komandantit ushtarak, Khalifa Haftar.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është nën sulm nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019, ku jetën e kanë humbur mbi 1 mijë persona.

Në muajin mars, qeveria libiane nisi operacionin “Stuhia e Paqes” për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe së fundmi ka rifituar territore strategjike, duke përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin strategjik Tarhuna.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme