Google ADS

Lavrov: Perëndimi po na fajëson për të gjitha problemet në Ballkan

13:20 | 1 Dhjetor 2023
E.K

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi Perëndimin se po zhvillon “një luftë hibride kundër Rusisë”, duke pretenduar se po ia lë fajin Moskës për të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një konference për media në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku po mbahet një samit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Lavrov akuzoi Perëndimin se, siç u shpreh ai, gjithmonë ka pasur interes që të nxisë kombet kundër njëri-tjetrit.

“Unë jam i bindur se popujt e hemisferës ballkanike kanë kaluar nëpër tranzicione të vështira historike, kanë një kod të përbashkët dhe nuk duhet të mposhten dhe të lejojnë që Perëndimi t’i bëjë armiq të njëri-tjetrit”, u shpreh Lavrov.

Pretendimet ruse se Perëndimi po fajëson Moskën për problemet në Ballkan, vijnë në kohën kur Ukraina – që po përballet me pushtimin e paprovokuar nga Rusia që nga shkurti i kaluar – ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë konflikt midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më 15 nëntor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi për mediat afrikane se ai ka prova të synimeve të Moskës për të nisur një luftë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky.

Bashkimi Evropian më pas tha se ndan shqetësimet me Zelenskyn. Zëdhënës i BE-së, Peter Stano deklaroi se blloku për një kohë të gjatë ka thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit i thanë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evropianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

Edhe zyrtarët në Kosovë kanë shprehur shqetësim për rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në nëntor se Rusia po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e BE-së”, me qëllim që, sipas tij, të shpërqendrojë aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s.

Kosova, sipas një raporti të publikuar së fundi nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin një luftë ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë.

Por, gjatë adresimit në Shkup, Lavrov tha se ai inkurajon “grupet etnike në Ballkan që të jetojnë në paqe dhe të shmangin ambiciet nacionaliste”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që të mos i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të luftës kundër Ukrainës – vetëm, siç tha ai, për të përmbushur disa ambicie perëndimore.

Kryediplomati rus po ashtu akuzoi Perëndimin për kontestin që ka Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria lidhur me identitetin, duke thënë se “maqedonasit duhet të jetë të barabartë në kontinentin e përbashkët”.

“OSBE-ja ka degraduar”
Teksa më 1 dhjetor po zhvillohet dita e dytë e samitit të OSBE-së, kryediplomati rus tha kjo organizatë është “degraduar” në të gjitha dimensionet kyçe të funksionimit të saj.

Ai tha se “OSBE-ja është shkatërruar dhe liderët perëndimorë që nuk kanë marrë asnjë leksion nga dështimi i tyre”.

Por, vendimmarrja në këtë organizatë shpesh është bllokuar nga vetot ruse, përfshirë edhe për buxhetin e OSBE-së.

Lavrovit iu mundësua pjesëmarrja në këtë samit të OSBE-së, pasi paraprakisht Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria hoqën përkohësisht sanksionet ndaj fluturimeve ruse. Por, në fund, Lavrov u desh të fluturojë mbi Turqi dhe Greqi, pasi Bullgaria mbylli hapësirën ajrore për avionin e kryediplomatit rus, për shkak se në bord gjendeshin persona të sanksionuar nga BE-ja.

Pjesëmarrja e tij në këtë samit nxiti bojkotin e Ukrainës, shteteve të Baltikut. Po ashtu, për të shmangur qëndrimin në të njëjtin samit me të, kryediplomati amerikan, Antony Blinken, dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, morën pjesë në një darkë joformale të OSBE-së në Shkup të mërkurën dhe më pas u larguan nga Maqedonia e Veriut para se samiti të niste zyrtarisht punimet.

Lavrov tha se darka joformale ishte organizuar qëllimisht para se ai të mbërrinte në Shkup.

“Janë munduar me foto nga darka të më paraqesin si të izoluar këtu në Shkup. Por, unë kam pasur një darkë të mrekullueshme me verëra dhe gatime maqedonase dhe kam qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të takimit të OSBE-së në mëngjes. Dhe nuk kishte njerëz nga Ukraina dhe shtetet Baltike, as Blinken dhe [ministri i Jashtëm britanik, David]Cameron, as Borrell. Pse ndodhi kjo? Ndoshta ata donin ta vënë në pah qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë. Kurse unë mendoj se janë frikacakë, frikësohen nga bisedat e sinqerta dhe me fakte”, tha Lavrov.

Ndryshe, në ditën e dytë dhe përmbyllëse të samitit, anëtarët e OSBE-së do të konfirmojnë vendimin që Malta të jetë kryesuese e organizatës në vitin 2024./rel

Të ngjashme