Ky është kryeministri i ri francez

15:02 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Édouard Philippe është Kryeministri i ri i Francës, i zgjedhur nga Presidenti Emmanuel Macron. Kryebashkiak i Le Havre, deputet i partisë së qendrës së djathtë “Republikanët” dhe mik personal i Macron, Philippe ka qenë mbështetës i Alain Juppé dhe tani mund të quhet konservator neogolist. Sipas shtypit francez, emërimi i Philippe është një surprizë e vërtetë.

Ama strategjia e Macron duket e qartë: me zgjedhjen e Philippe, lideri i En Marche! Kërkon që të fitojë votuesit e djathtë, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme legjislative të muajit korrik. Një urë drejt krahut më të moderuar të republikanëve. Megjithatë, Philippe konsiderohet si politikan me peshë të lehtë në nivel kombëtar.

I lindur në Ruan në vitin 1970, 1970, Philippe është një fytyrë e re dhe një frymë e re në klasën politike franceze. Është pjesë e rinovimit politik që ka premtuar Macron në fushatën elektorale. Kolegët parlamentarë e quajnë një “centrist të pastër”, “një shembull i të djathtës unitariste”. Ka përvojë në Parlament dhe në menaxhimin publik, por nuk është shumë i njohur. Kur ka mësuar lajmin e emërimit të tij, Juppé ka thënë se ai gjithsesi do t’u qëndrojë besnik republikanëve dhe kandidatëve të partisë së vet.

Pas diplomimit për Shkenca Politike në Universitetin Sciences Po, edhe Philippe – njëlloj si Macron dhe Valls – ka frekuentuar të famshmen Ecole Nationale d’Administration (ENA). Phillipe militoi në vitet Nëntëdhjetë për dy vite në Partinë Socialiste dhe ka qenë mbështetës i ish-Kryeministrit socialist Michel Rocard. Në një intervistë për “Le Point”, Philippe është shprehur: “Jam rritur në një mjedis të majtë, që kishte një anë socialdemokrate të përkryer për mua”. Pastaj, ashtu si vetë Macron, Kryeministri i Francës ka punuar në sektorin privat: ka qenë pjesë e studios ligjore amerikane “Debevoise & Plimpton” dhe ka qenë lobist i grupit bërthamor AREVA.

Philippe ka jetuar për shumë vite në Bon, ku i ati drejtonte Institutin Francez, kështu që flet shkëlqyeshëm gjermanisht. “Një kriter i domosdoshëm për presidencën e re franceze”, thekson shtypi lokal. “Philippe është inteligjent, i gjallë dhe nganjëherë edhe paksa i çmendur”, ka deklaruar për agjencinë AFP një ish koleg i Philippe. Gazetari Gael Tchakaloff e përshkruan Kryeministrin e ti si “arrogant, të ftohtë, me besim të tepruar tek vetëvetja dhe në ambicien që ka”.

I apasionuar pas boksit (edhe në këtë njëlloj si Macron), Philippe është edhe shkrimtar: ka shkruar dy romane fanta-politike dhe për muaj me radhë ka pasur një rubrikë në të përditshmen e majtë “Libération”. Philippe ka tre fëmijë dhe është i martuar me Edith, pedagoge në Universitetin Sciences Po.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme