Kuvajti ndryshon ezanin si pjesë e masave kundër koronavirusit

15:01 | 14 Mars 2020
Arbresh.info

Autoritetet kuvajtiane kanë mbyllur përkohësisht xhamitë dhe kanë ndryshuar ezanin (thirrjen për namaz), si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Nga xhamitë e Kuvajtit u dëgjua se si pjesa e ezanit ku thuhet “ejani në namaz” është ndryshuar me frazën “faluni në shtëpitë tuaja”.

Të premten, autoritetet në vendin e Gjirit pezulluan përkohësisht pesë namazet ditore dhe namazin javor të xhumasë në xhami, si pjesë e luftës kundër sëmundjes.

Autoritetet shëndetësore në Kuvajt kanë raportuar 100 raste të koronavirusit në vend.

Më parë këtë javë, qeveria e Kuvajtit njoftoi një seri masash për të frenuar sëmundjen, përfshirë mbylljen e institucioneve arsimore për dy javë të tjera dhe pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive deri në njoftimin e mëtejshëm.

Shteti i Gjirit gjithashtu ka ndaluar lëshimin e vizave për vendet e prekura nga virusi, i cili u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar dhe që atëherë është përhapur në rreth 130 vende ose territore.

Numri global i vdekjeve është rreth 5.400, me mbi 145 mijë raste të konfirmuara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme