Google ADS

Kush janë kurdët dhe pse po i sulmon Turqia në Siri

15:29 | 19 Tetor 2019
Arbresh.info

Pushtimi turk i territorit që kontrollohet nga kurdët në veri të Sirisë, ka ndërlikuar më tej një luftë civile tashmë kaotike. Ajo që nisi 8 vjet më pare, si një seri protestash jo të dhunshme kundër qeverisë siriane, degradoi në një konflikt ndërkombëtar, midis dhjetëra fraksioneve lokale, Shtetit Islamik, dhe disa vendeve të huaja.

Tani, një aleat i SHBA po sulmon një grupim, që për vite me radhë ka luftuar krah për krah trupave amerikane. Shumë analistë, janë habitur nga kthesa e papritur e luftës. Po kush janë kurdët, dhe si u gjendën ata në qendër të këtij konflikti të përgjakshëm?

Sa kurdë jetojnë në Siri?

Kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri. Ata përbëjnë 5-10 për qind të popullsisë siriane, që në vitin 2011 numëronte 21 milionë banorë. Kurdët jetojnë kryesisht në veri të vendit, pranë kufirit me Turqinë, bashkë me arabët dhe grupimet e tjera etnike. Popullata të mëdha kurde jetojnë edhe në Turqi, Irak, Iran dhe Armeni. Në total në rajon jetojnë 25-30 milionë kurdë, të shpërndarë në 5 shtete, dhe pa asnjë shtet kombëtar.

Si u përfshinë në luftë kurdët sirianë?

Kur protestat paqësore kundër presidentit Bashar Al-Asad, u përshkallëzuan në një luftë civile të armatosur në vitet 2011-2012, fraksione të ndryshme filluan të përleshen për kontrollin e Sirisë. Këto përfshinin milicit pro-qeveritare, rebelët që luftojnë për një shtet më demokratik, ekstremistët dhe militantët islamikë nga pakicat etnike dhe fetare, që synojnë të mbrojnë zonat e tyre nga sulmet e fraksioneve të tjera. Midis tyre ishin edhe milicit kurdë, ku më e forta është Njësia e Mbrojtjes së Popullit, e njohur shkurt si Y.P.G.

Si u përfshi SHBA-ja në luftë, dhe si u bënë kurdët aleatë të saj?

Për disa vite, administrata e presidentit Barak Obama, i rezistoi thirrjeve për të luajtur një rol të drejtpërdrejtë në luftën civile siriane. Ajo preferoi të sigurojë fonde dhe trajnime për disa grupime rebele. Më vonë Obama ndërroi mendje, ndërsa ISIS-i përfitoi nga kaosi i luftës, duke pushtuar territore të mëdha të Sirisë dhe Irakut.

Në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan një koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS-it, duke ndërmarrë sulme ajrore dhe më vonë ndërtuar disa baza ushtarake në territorin sirian, për të ndihmuar operacionet tokësore kundër Shtetit Islamik. Në atë kohë YPG-ja kurdë, ra në sy për efektivitetin e saj në luftën kundër ISIS. Ndaj Uashingtoni e pa milicinë kurdë, si opsionin më të sigurt që duhej të mbështeste.

Pse kurdët në Siri kontrollojnë kaq shumë territore?

Ndërsa e detyroi gradualisht ISIS-in të largohej nga Siria veriore, milicia kurdë humbi rreth 11.000 ushtarë gjatë luftës. Ndërkohë vuri nën kontroll territoret që çliroi, dhe që përbëjnë çerekun e Sirisë, përfshirë pjesën më të madhe të kufirit me Turqinë.

Pse Turqia synon t’i dëbojë kurdët nga zonat kufitare?

Milicia është pjesë e një grupi gueriles kurd të njohur si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. PKK ka zhvilluar prej vitesh një luftë guerilase brenda Turqisë. Turqia dhe SHBA0ja, e konsiderojnë atë një organizatë terroriste. Ankaraja e sheh kontrollin e një zone kaq pranë kufirit të saj nga kurdët, si një kërcënim i madh për sigurinë e saj. Ajo druhet se kjo zonë mund të shndërrohet në strehë të disidentëve që arratisen nga Turqia, apo në një “trampolinë” për rebelët që planifikojnë sulme në territorin turk.

Si u përpoq SHBA-ja ta zgjidhë këtë problem, dhe pse ndryshoi befas qasje?

Administrata Obama, u përpoq të zbehte lidhjet e milicisë me guerilasit në Turqi. Ajo e inkurajoi grupin të ndryshojë emrin, dhe të rekrutojë më shumë luftëtarë jo-kurdë. Grupimi quhet tani Forcat Demokratike Siriane. Dhe rreth 40 për qind e luftëtarëve, janë arabë ose me prejardhje të tjera etnike.

Ndërkohë trupat amerikane, nisën të veprojnë de fakto si paqeruajtës, duke patrulluar pranë kufirit turk, në fillim vetë, dhe më pas në bashkëpunim me trupat turke. Muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara i bindën autoritetet kurdë që të tërhiqnin forcat nga kufiri, dhe të çmontonin një seri fortifikimesh mbrojtëse, si një shfaqje e vullnetit të mirë ndaj Turqisë.

Presidenti Donald Trump, ndryshoi qasje më 6 tetor, gjatë një telefonate me homologun turk Rexhep Tajip Erdogan. Ai i urdhëroi trupat amerikane të largohen nga zona kufitare. Tre ditë më vonë, Turqia nisi një hyrje të hapur ushtarake në territorin kurd.

Kush përfiton nga vendimi i Trump?

Përfituesja e menjëhershme është sigurisht Turqia, dhe përfaqësuesit e saj arabo-sirianë, që pushtuan që në ditët e para mbi 195 km2 territor, që kontrollohej më herët nga kurdët. Por nga kjo situatë, mund të përfitojë edhe Shteti Islamik, teksa luftëtarët kurdë s’kanë më fuqi për të eliminuar celulat e mbetura ekstremiste, apo për të ruajtur afro 11 mijë luftëtarë të ISIS që janë kapur rob.

Përfituesja tjetër është qeveria siriane. Të dielën, autoritetet kurdë i lejuan trupat siriane të ktheheshin në pjesë të mëdha të Sirisë veriore, në të cilat ata nuk ishin të pranishëm prej më shumë se 5 vjetësh. Zyrtarisht, ushtria siriane do të ndihmojë kurdët në mbrojtjen e zonës së tyre.

Por shumëkush druhet se regjimi i Asadit, do ta marrë sërish nën kontroll këtë zonë. Përfituesit e tjerë janë Rusia dhe Irani, mbrojtësit kryesorë ndërkombëtarë të Bashar Al-Asadit. Tërheqja e SHBA-së nga Siria veriore, i lejon që të dyja vendet të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon. Në veçanti, Moska ka dalë si ndërmjetësja kryesore në negociatat midis kurdëve, Asadit dhe qeverisë turke shkruan New York Times

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme