Kush është Joe Biden, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara

09:31 | 8 Nëntor 2020
Arbresh.info

Me mposhtjen e Donald Trumpit, në një garë që e cilësoi si “betejë për shpirtin e këtij kombi”, Joe Biden përmbushi një ëndërr që e kishte shmangur për më shumë se tri dekada.

Kandidati i Partisë Demokratike, dy mandate nënpresident dhe senator me vite nga Dellauer, fitoi së paku 273 nga 570 votat e Kolegjit Zgjedhor.

Një kandidat duhet të fitojë së paku 270 vota të tilla për të udhëhequr zyrën më të lartë të SHBA-së.

“Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur mua për të udhëhequr vendin tonë të madh”, shkroi Biden në Twitter.

“Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, por unë ju premtoj këtë: Unë do të jem president për të gjithë amerikanët – pavarësisht nëse keni votuar për mua ose jo”, tha Biden.

Diferenca e fitores së Bidenit në disa nga shtetet kyçe ishte e ngushtë, por në të gjithë vendin ai fitoi afro katër milionë vota më shumë se Trump.

Trump tha se nuk do ta pranojë humbjen dhe u zotua se do ta luftojë rezultatin në gjykatë.

Biden, i cili i mbush 78 vjet më 20 nëntor dhe është personi më i vjetër që zgjidhet president i SHBA-së, garoi me premtimin për të bashkuar kombin, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, për t’i rindërtuar lidhjet me aleatët dhe për të rikthyer reputacionin e një vendi, “besueshmëria dhe ndikimi” i të cilit, sipas tij, janë dëmtuar nga “pothuajse çdo masë”, prejse Trump ka marrë detyrën.

“Unë e njoh këtë vend. Unë i njoh njerëzit tanë. Dhe, e di që ne mund të bashkohemi dhe ta shërojmë këtë komb”, u tha Biden mbështetësve në një tubim në shtetin jugor të Xhorxhias, më 27 tetor.

Presidenti i zgjedhur amerikan bëhet president pas inaugurimit, më 20 janar.

Ai do të përballet me një komb jo vetëm të ndarë thellë për një sërë çështjesh, përfshirë: racën, imigracionin dhe çështjet kulturore, por edhe me një që po lufton pandeminë e koronavirusit, e cila ka infektuar gati 10 milionë amerikanë, ka vrarë më shumë se 236,000 dhe ka sjellë presion të madh në ekonomi, rritje të papunësisë dhe pasiguri për të ardhmen.

Ai gjithashtu duhet të përpiqet t’i rregullojë marrëdhëniet e dobëta me aleatët kryesorë evropianë, të përballet me një Rusi kategorike dhe të shmangë sfidat në rritje me Kinën.

Presidenti i zgjedhur nuk do të jetë një fytyrë e re as për 330 milionë amerikanët në SHBA, as për udhëheqësit e huaj me të cilët do të ndërveprojë.

Biden ka shërbyer në Uashington për gati gjysmë shekulli, përfshirë 35 vjet si senator dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e Barack Obamës – nga viti 2009 deri më 2017.

Me vite anëtar dhe tri herë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Biden ka udhëtuar shumë jashtë vendit dhe ka qenë i përfshirë në bisedime që përfshinin tregtinë dhe armët bërthamore.

Ai është takuar me udhëheqjen sovjetike në vitin 1979 për të diskutuar kontrollin e armëve dhe ka mbështetur zgjerimin e NATO-s, pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, rreth një dekadë më vonë.

Obama e ka zgjedhur dy herë zëvendës, kryesisht për shkak të fuqisë së tij në politikën e jashtme.

Në vitin 2008, Biden e ka kompensuar përvojën që i mungonte Obamës në atë fushë, kur Obama, senator nga Illinoisi, ka garuar për president kundër John McCainit, republikan, që kishte luftuar në Vietnam.

Përpjekja e tretë

Biden ka shkëmbyer kritika me Trumpin gjatë fushatës, por ka pasur një paraqitje më të butë, që mund t’i ketë tërhequr votuesit e lodhur nga Trump dhe teatrot e tij në Twitter.

Sipas analistëve, Biden ka mbijetuar në politikë për dekada, për shkak të aftësisë për t’u lidhur me votuesit.

Joseph Robinette Biden, i Riu, ka lindur në vitin 1942 në qytetin Skranton të Pensilvanisë, në një familje të klasës së mesme katolike romake.

Familja e tij më vonë është zhvendosur në qytetin Uillmington në Dellauer dhe babai i tij ka punuar si shitës i makinave të përdorura.

Biden ka luajtur futboll amerikan dhe bejsboll në shkollën e mesme katolike. Më pas ka ndjekur studimet në Universitetin e Dellauerit dhe ka marrë diplomë në drejtësi nga Universiteti Sirakjuz në shtetin e Nju Jorkut.

Biden është martuar për herë të parë në vitin 1966 me Neilia Hunter, studente në Sirakjuz. Çifti është zhvendosur më pas në Dellauar – ku Biden ka kaluar provimin e kërkuar për të ushtruar profesionin e avokatisë – dhe ka pasur tre fëmijë.

Neila dhe vajza e tyre kanë humbur jetën në një aksident me makinë, derisa bënin pazare për Krishtlindje. Ngjarja ka ndodhur më 1972, vetëm disa javë pasi Biden, atëbotë 29 vjeç, është zgjedhur për herë të parë senator. Djemtë e tyre, Hunter dhe Beau, janë lënduar në aksident.

Beau ka vdekur nga kanceri në tru, në moshën 45-vjeçare, në vitin 2015. Hunter, tani 50 vjeç, ka luftuar me varësinë nga alkooli dhe droga për dekada.

Biden ka thënë se gati ka hequr dorë nga Senati për t’u kujdesur për fëmijët e tij pas aksidentit, porse kolegët e kanë bindur që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Për të qenë pranë djemve të tij, ai ka udhëtuar 90 minuta me tren nga shtëpia në Dellauer për në Uashington.

Udhëtimi ditor ka pasur ndikim edhe në politikën e tij. Ai është bërë avokat i transportit hekurudhor dhe, në kuadër të fushatës këtë vit, ka bërë thirrje për një “revolucion hekurudhor”, që, sipas tij, do të luftonte ndryshimet klimatike dhe do t’i ndihmonte njerëzit e klasës punëtore që mbështeten në transportin publik.

Në rininë e tij, Biden ka vuajtur edhe nga belbëzimi, që vazhdon t’i shfaqet kohë pas kohe. Gjatë garës së sivjetme, kundërshtarët ia kanë përdorur këtë tipar, së bashku me moshën e tij të vjetër, për të hedhur dyshime mbi aftësitë e tij si president.

Edhe pse kurrë nuk e ka humbur garën për Senat gjatë 35 vjetëve, Biden ka duruar pengesa në karrierën e tij politike.

Ai ka garuar për nominimin e Partisë Demokratike për kandidat presidencial më 1988 dhe sërish më 2008, por është mundur nga garuesit e tjerë.

Rruga drejt nominimit

Biden ka shpallur kandidaturën për president në prill të vitit 2019, pas disa muajsh hezitim dhe kur disa kandidatë të tjerë – shumë të rinj, më liberalë ose me prirje të majta dhe shumë më të rinj në politikë sesa Biden – kishin hyrë në garë.

Biden ka bërë përpjekje ta paraqesë veten si fener stabiliteti në një vend, që, sipas tij, ishte bërë “fushë e betejës”, pas tre vjetësh nën Trumpin.

Biden e ka akuzuar Trumpin për ndarje të popullsisë për çështje të racës dhe imigracionit dhe për rrezikimin e “vlerave thelbësore të kombit”.

“Jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi”, ka thënë Biden kur ka njoftuar për kandidaturën e tij. Nëse merr edhe një mandat tjetër katërvjeçar, Trump do ta “ndryshojë përgjithmonë dhe thelbësisht karakterin e këtij kombi – unë nuk mund të qëndroj dhe të vëzhgoj çfarë ndodh”, ka thënë Biden.

Biden ka dalë dobët në zgjedhjet paraprake në fillim dhe mes të shkurtit, pasi demokratët e rinj anonin drejt kandidatëve më liberalë, si Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, të dy në të 70-tat e tyre, ose drejt kandidatëve më të moderuar dhe më të rinj. Ai ka marrë hov në fund të shkurtit, kur ka dalë i pari në Karolinën e Jugut, kryesisht për shkak të mbështetjes së fortë nga afrikano-amerikanët.

Rivalët e tij të moderuar, duke parë ngushtimin e shanseve të tyre për nominim nga Partia Demokratike, kanë nisur të tërhiqen. Largimi i tyre ka hapur rrugën e fitores për Bidenin, i cili shpejt e ka kaluar Sandersin dhe ka fituar nominimin presidencial në qershor.

Fitorja e Bidenit në zgjedhjet paraprake demokratike “mund t’i atribuohet faktit të thjeshtë se shumica e njerëzve e pëlqejnë ‘xhaxhain Joe’”, ka shkruar kolumnisti Max Boot në gazetën Washington Post, në muajin mars.

COVID-19 dhe fushata

Fushata presidenciale 2020 është përcjellë me pandeminë e koronavirusit, e cila i ka bërë tubimet politike një rrezik të madh për shëndetin.

Partia Demokratike ka zhvilluar virtualisht konventën kombëtare në muajin gusht dhe Partia Republikane e ka zhvendosur kryesisht online të sajën.

Biden ka punuar nga shtëpia gjatë pjesës më të madhe të fushatës, duke dhënë intervista online.

Trump i ka injoruar në masë të madhe masat paraprake shëndetësore dhe ka vazhduar të organizojë tubime në të gjithë vendin.

Trump është tallur me maskën e Bidenit dhe vendimin e tij për të bërë fushatë nga shtëpia.

Por, fushata e tillë e Bidenit, e cila, sipas tij, ka demonstruar llojin e udhëheqjes që nevojitet në kohë të pandemisë, e ka mbrojtur atë nga tipari i tij ndoshta më i dobët: të folurit në publik. Biden njihet jo vetëm për buzëqeshjen e tij të madhe, por edhe për gafe, ngatërrim të numrave dhe viteve dhe përzierje të emrave./REL.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme