Me afrimin e ditës së Kurban Bajramit, tregje të improvizuara bagëtish janë ngritur anembanë Pakistanit. Ato në Karachi dhe Lahore gëlojnë nga njerëzit, por shumë konsumatorë ankohen për rritje të ndjeshme të çmimeve.
“Kafshët këtë vit kanë qenë ekstremisht të kushtueshme. Çmimet janë 40 deri në 45% më lart sesa vitin e kaluar, e pronaret e bagëtive nuk dëgjojnë t’i ulin”, tha Sikander Nawaz, blerës.
“Këta njerëz kërkojnë 500 mijë rupi, apo 4.745 dollarë për një kafshë, që është shitur për 200 mijë rupi, ose 1.900 dollarë. Njerëzit pyesin veten: si mund ta blejmë ne këtë?…dhe largohen”, tha Waseem Siddiqui, blerës.
Festivali i sakrificës, siç njihet ndryshe, është një ditë e shënuar në kalendarin mysliman. Si simbol i flijimit përdoret zakonisht një lopë, por mund të jetë edhe një dele, dash, dhi apo gamile, në varësi të rajonit.
Shumë prej familjeve, që nuk ua lejon xhepi ta blejnë të vetme një lopë, vendosin të mbledhin paratë bashkë e ta ndajnë mishin mes tyre. Miliona kafshë flijohen në botën myslimane gjatë këtyre festimeve.
Sipas të dhënave të shoqatës vendase “Pakistan Tanners Association”, vetëm në këtë vend gjatë dy ditëve të Kurban Bajramit shkohen në thikë 10 milionë kafshë, që vlejnë mbi 3 miliardë dollarë.