Bashkësia Ndërkombëtare ka dënuar ashpër Bjellorusinë, pasi Bashkimi Europian, SHBA dhe NATO ia drejtuan gishtin qeverisë Lukashenko për rritjen e papritur të numrit të emigrantëve që janë mbledhur në kufirin polak.
Polonia akuzoi Bjellorusinë për një “përshkallëzim të qëllimshëm të tensionit” në anën e saj të kufirit midis dy vendeve, pasi disa qindra emigrantë u mblodhën në kufi duke u përpjekur të arrinin në Bashkimin Europian, transmeton portal arbresh.info
Komisioni Europian akuzon liderin bjellorus se po vazhdon të përdorë njerëzit si peng në fushatën e tij kundër bllokut, duke thënë se ai duhet të ndalojë së vëni në rrezik jetën e njerëzve.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen bëri thirrje për sanksione të zgjeruara dhe masa të mundshme kundër linjave ajrore të vendeve të treta të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore. Bjellorusia është akuzuar për fluturimin e njerëzve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe hedhjen e tyre në kufijtë e BE-së.
“Një përpjekje e koordinuar për një hyrje masive në territorin e Republikës së Polonisë të emigrantëve të përdorur nga Bjellorusia për një sulm hibrid kundër Polonisë sapo ka filluar”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria e Polonisë.
Deklarata thoshte se fluksi i fundit ishte një “formë hakmarrjeje” nga lideri i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko kundër Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.
“Duke krijuar një rrugë artificiale migracioni dhe duke shfrytëzuar në mënyrë cinike emigrantët, Lukashenko po përpiqet të destabilozojë Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë dhe po mundohet të detyrojë Bashkimin Europian që të heqë sanksionet e vendosura ndaj regjimit të Minskut”, thuhet tutje në deklaratë.
Ministria e Brendshme e Polonisë tha se kishte kundërshtuar një përpjekje për hyrje të paligjshme të hënën, duke thënë se situata ishte nën kontroll.
Departamenti Amerikan i Shtetit i përshkroi skenat në kufi si “shqetësuese” dhe i bëri thirrje Bjellorusisë që të ndalojë “manipulimin” e situatës.
Në anën tjetër, NATO i ka quajtur skenat “të papranueshme” dhe akuzoi Lukashenkon për “përdorimin” e emigrantëve si një “taktikë hibride”.
Më parë, Varshava përforcoi sigurinë në kufi, duke dërguar policë shtesë. Ministri polak i mbrojtjes Mariusz Błaszczak tha se më shumë se 12,000 ushtarë ishin në detyrë në kufirin me Bjellorusinë dhe se ata ishin të përgatitur për ta mbrojtur atë.
Qeveritë e BE-së kanë akuzuar gjithashtu presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko për mbështetjen e qëllimshme të emigrantëve të paligjshëm në përgjigje të sanksioneve të BE-së kundër tij.
Von der Leyen tha se dy zyrtarë të lartë të BE-së – nënkryetari i Komisionit të BE-së Margaritis Schinas dhe shefi i punëve të jashtme të BE-së, Josep Borrell – do të udhëtojnë në ditët në vijim në vendet kryesore të origjinës për emigrantët për të “siguruar që ata të veprojnë për të parandaluar shtetasit e tyre që të bien në grackën e ngritur nga autoritetet bjelloruse”.
Disa qeveri të BE-së si dhe eurodeputetë kanë kërkuar që BE-ja të financojë ndërtimin e mureve kufitare për të parandaluar hyrjen e emigrantëve. Por grupet e të drejtave të njeriut e kundërshtojnë këtë ide.
Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Europiane të Stabilitetit (ESI), një institut evropian i specializuar në politikën e azilit, paralajmëroi BE-në kundër hyrjes në “një garë brutaliteti” me Lukashenkon.
Ai i bëri thirrje Brukselit që të gjejë vende partnere për të punuar së bashku për t’i rezistuar “shantazhit” që vjen nga Minsku.
“Bashkimi Europian duhet t’i ndihmojë këto vende masivisht, dhe në këmbim këto vende duhet të ndihmojnë BE-në. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e jetëve njerëzore, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, por gjithashtu edhe mos dorëzimin para një diktatori”, tha ai./euronews/arbresh.info/
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...