Kuba thotë se plani i Trumpit për dëbim masiv të imigrantëve është joreal

08:34 | 5 Dhjetor 2024
E.K

Propozimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për t’i dëbuar në masë të madhe imigrantët që jetojnë jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara, në mesin e të cilëve mund të ketë edhe kubanë, është joreal dhe i padrejtë, tha zëvendësministri i Jashtëm i Kubës, Carlos Fernandez de Cossio.

Trumpi është zotuar se do ta luftojë imigracionin, duke e dëbuar një numër rekord imigrantësh. Nënpresidenti i zgjedhur amerikan, JD Vance, ka vlerësuar se deri në 1 milion njerëz mund të dëbohen në vit.

De Cossio i bëri këto komente të mërkurën pas një bisede rreth emigracionit me homologët nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden në Havanë.

Çdo propozim i tillë për dëbim duhet të shqyrtohet brenda kufijve të marrëveshjeve ekzistuese për emigracionin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, tha ai për gazetarët.

“Në këtë kontekst, nuk është gjë reale të mendohet se mund të ketë dëbime masive nga Shtetet e Bashkuara në Kubë”, tha de Cossio.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese, Kuba ka pranuar një numër të vogël njerëzish të dëbuar nga SHBA-ja përmes ajrit dhe detit gjatë administratës Biden.

Tom Homan, i emëruari i Trumpit për çështjet kufitare, ka deklaruar se kryesisht do të dëbohen kriminelët dhe ata që kanë urdhra përfundimtarë për dëbim, por nuk ka përjashtuar specifikisht grupe apo kombësi të caktuara.

Propozimi i Trumpit për dëbime nuk u diskutua me zyrtarët e Bidenit gjatë bisedimeve dypalëshe për emigracionin të mërkurën, tha de Cossio.

Një delegacion i SHBA-së u takua me zyrtarë kubanë në Havanë për t’i rishikuar Marrëveshjet për Migracionin mes SHBA-së dhe Kubës, të cilat datojnë nga viti 1984, tha Brian Nichols, diplomati kryesor i SHBA-së për Amerikën Latine.

“[Delegacioni] nënvizoi suksesin tonë në frenimin e emigracionit të parregullt detar dhe tokësor nga Kuba”, tha Nichols.

Nuk është e qartë nëse Trump do t’i respektojë marrëveshjet ekzistuese me Kubën apo do të përpiqet t’i rinegociojë ato, siç ka bërë në rrethana të tjera.

Prej dekadash, Kuba ka fajësuar embargon tregtare të epokës së Luftës së Ftohtë nga SHBA-ja për shkatërrimin e ekonomisë së saj dhe nxitjen e emigrimit në masë të kubanëve në Shtetet e Bashkuara.

Por dëbimi i madh dhe kthimi i tyre në shtëpi do të ishte drastik dhe i padrejtë, tha de Cossio.

“Të përpiqesh të dëbosh dhjetëra mijëra ose qindra mijëra kubanë në Kubë… do të thotë të shkulësh nga rrënjët njerëz që tashmë kanë ndërtuar jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai./rel

Të ngjashme