Google ADS

Kryqi i Kuq thotë se afër 8.000 persona janë evakuuar nga një spital në Gazë

16:32 | 6 Shkurt 2024
E.G

Afër 8.000 persona të zhvendosur janë evakuuar nga spitali kryesor i rrethuar në qytetin Han Junis në jug të Gazës, ku ata ishin strehuar, tha Kryqi i Kuq më 6 shkurt.

“Situata humanitare në Rripin e Gazës është përtej katastrofës”, tha Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatave Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Ai tha për gazetarët në Gjenevë se Kryqit të Kuq i është thënë se spitali Al-Amal, që udhëhiqet nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, gjerësisht është zbrazur pas rrethimit të gjatë nga forcat izraelite.

“Tetë mijë persona të zhvendosur brenda vendit, që ishin strehuar te spitali ynë i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Han Junis… u larguan dje nga spitali”, shpjegoi ai.

Ai tha se spitali Al-Amal ka qenë nën rrethim për më shumë se dy javë dhe përreth tij ka pasur luftime dhe granatime të ashpra. Spitali është goditur disa herë nga sulmet, përfshirë të premten e javës së kaluar, kur u vra një anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Afër 100 të moshuar, plagosur dhe pacientë të palëvizshëm janë ende brenda spitalit, ku gjenden edhe afër 100 pjesëtarë të stafit dhe vullnetarë, tha Kryqi i Kuq.

Edhe para evakuimit, spitali Al-Amal ishte përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e madhe të ilaçeve, ushqimit dhe ujit, tha Della Longa.

Izraeli po vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Lufta u nxit më 7 tetor pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi tha se situata në spitalin Nasser, që gjendet afër atij Al-Amal, është po ashtu alarmuese.

Spitalet – që sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare janë të mbrojtura – janë goditur vazhdimisht gjatë luftës në Gazë. Ushtria izraelite e ka akuzuar Hamasin se përdor ndërtesat shëndetësore si qendra komanduese, akuza që janë mohuar nga grupi radikal palestinez.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi ka raportuar për mbi 27.000 të vrarë në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, që kur ka nisur lufta në fillim të tetorit të vitit 2023./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme