Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ishte planifikuar që më parë për të enjten një seancë informimi me zotin Turner dhe drejtuesit e tjerë në Kongres për çështjet e zbulimit, të njohur me emërtimin Grupi i të Tetëve. Zoti Sullivan nuk e bëri të ditur temën dhe nuk dha detaje të tjera në lidhje me deklaratën e zotit Turner.
“Jam i përqëndruar tek takimi nesër me të dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Tetëshes në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha zoti Sullivan. “Nuk jam në pozitën për të thënë diçka më tej nga ky podium në këtë moment”.
Ai pranoi se nuk është praktikë e zakonshme mbajtja e një seance të tillë informimi.
“Dua vetëm të them se e kontaktova personalisht Grupin e Tetëshes. Është në fakt shumë e pazakontë që këtë ta bëjë këshilltari i sigurisë kombëtare”, tha zoti Sullivan. Ai tha se i kishte kontaktuar më herët këtë javë.
Sullivan nuk tha nëse seanca e informimit do të ketë lidhje me paralajmërimin e zotit Turner. “Do t’ua lë juve të bëni lidhjet që dëshironi”, u tha ai gazetarëve./voa